KF Lugina, zyrtarisht hap shkollën e futbollit në Fushë Kosovë

Futboll

KF Lugina, zyrtarisht hap shkollën e futbollit në Fushë Kosovë

Nga: Kushtrim Maliqi Më: 5 mars 2019 Në ora: 16:35
Nagip Jakupi

Shkolla e futbollit “Lugina” me kryetarin e saj Nagip Jakupin që nga themelimi i saj ka njohur vetëm suksese, përkundër kushteve jo edhe aq të mira me të cilat punojnë. Afër pesë vitesh janë bërë që kur u themelua kjo shkollë, apo saktësisht dje janë mbushur 1600 ditë, me ç’rast, pikërisht kryetari i kësaj shkolle z. Jakupi i ka numëruar disa prej sukseseve të kësaj shkolle, si në fushën e organizimit, ashtu edhe të sukseseve dhe avancimit të nxënësve gjegjësisht futbollistëve në ardhje.

Përveç si shkollë e futbollit, “Lugina” ekziston edhe si klub i futbollit ku edhe në këtë aspekt nuk qëndron keq, pasi që prej sezonit 2015-2016 zyrtarisht me sukses të dalluar garon në Ligën e Rajonit të Pçinjës. Në vitin 2017, djemtë punëtorë e sportdashës të kësaj shkolle e kanë hapur degën edhe në komunën e Bujanocit, ku deri sot me mjaftë sukses po ecën puna edhe atje. Çka që vlen të theksohet, është fakti se kjo shkollë në sezonin 2017-2018 në rrethin e Pçinjës me grupmoshat 2004-2005 është shpallur kampion i ligës.

Ky rezultat pa dyshim se vjen pas një pune të palodhshme, jo pak të mundimshme, por që kur i sheh rezultatet e sukseset, kthehesh prapa e sheh se ia ka vlejtur. Një risi që pritet të sjell në Kosovën Lindore SH.F “Lugina” është ajo se këtë vit në komunën e Bujanocit do të aktivizojë edhe Klubin e Femrave, ku aktualisht kanë shprehur interesim disa nxënëse.

Qershia mbi tortë për këtë shkollë do të jetë 16 marsi i këtij viti kur zyrtarisht do të hapet dega e kësaj shkolle në Fushë Kosovë, për shkak se një numër i madh i qytetarët e Kosovës Lindore të cilët janë larguar nga vendlindja, janë vendosur në qytetin e Fushë Kosovës, me ç ’rast nevoja është e madhe.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat