Edhe tri pikë të reja për Ferizajn!

Futboll

Edhe tri pikë të reja për Ferizajn!

Nga: Kemajl Goca Më: 6 mars 2019 Në ora: 15:25
Edhe tri pikë të reja për Ferizajn!

Ferizaj shënon fitoren e dytë radhazi dhe gradualisht i ofrohet skuadrave që janë të renditura në pozitën e tetë e më lartë. Ferizajasit para shikuesve të vet shënuan fitore me rezultat 4:1 në përballje me KEK-un nga Kastrioti, në ndeshjen që u zhvillua në stadiumin pranë palestrës së sportit “Bill Klinton” në Ferizaj. Ferizaj tani merr frymë shumë më lehtë, për faktin se k shtuar shpresat për t’i ikur edhe zonës së barazhit.  Në minutën e 12-të, Pleurat Hajdini  godet bukur me të majtën dhe realizon në portën e Armend Blakçorit për 0:1. Goli që këndelli vendasit dhe shënuan katër gola për t’i sjellë edhe triumfin e madh. Në minutën e 16-të, Burim Shabani me dinakërinë e tij përfitoi nga topi i rikthyer nga tërthorësja dhe realizoi për 1:1.

Burim Shabani shfrytëzon një harkim të bukur të Arbër Monës dhe me kokë e dërgon topin në rrjetë për 2:1 në minutën e 33-të. Pesë minuta pa përfunduar takimi Hysen Demiri thellon epërsinë me 3:1 dhe në minutën e 90+1 Durim Gashin shënon për 4:1. Ferizaj është në vend të dhjetë me 24 pikë, kurse KEK-u është i fundit me 1 pikë. Bylbyl Sokoli, kryetrajner i Ferizajt, prej se është rikthyer në timonin e kësaj skuadre, nga katër ndeshjet e pranverës, ka 3 fitore e 1 humbje!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat