Ademi flet për akuzat e Llapit dhe për 38 mijë eurot

Futboll

Ademi flet për akuzat e Llapit dhe për 38 mijë eurot

Më: 7 mars 2019 Në ora: 15:57
Ademi flet për akuzat e Llapit dhe për 38 mijë eurot

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ka mbajtur sot një konferencë për media, ku të pranishëm ishin edhe anëtarët e KE të FFK-së, e k u sqarua situata rreth djalit të ish-presidentit, Fadil Vokrri, Gramozit, për të cilin u raportua në disa portale se ishte shkarkuar nga detyra.

 “Gramozi është anëtar i yni. Ai është i mirëpritur në Federatë në çfarëdo pozite. Jo për përvojën që e ka, por si djalë i legjendës Vokrri, por edhe si një djalë i ri që është rritur në Evropë. Ia kemi ofruar një kontratë të re, por ai nuk ka pranuar ta nënshkruajë. Nuk e di përse. Por, ua përsëris së ai i ka dyert e hapura këtu”, ka thënë Ademi.

“Gramozi qe një kohë është i punësuar në Federatë, me një kontratë që ia kemi ofruar. Pozita është drejtor për marrëdhënie me jashtë. Sot e asaj dite Gramozi ka disa ditë që nuk po vjen në Federatë, ndoshta më pak se një muaj. Nuk e dimë se përse ai nuk po vjen. Jemi munduar t’ia japim postin më të mirë dhe që i përgjigjet ky post. Ndoshta është një post që nuk ju ka përshtatur”, ka shtuar Ademi.

“Ia kemi ofruar disa pozita. Drejtor i edukimit, drejtor i marketingut, drejtor i regjioneve, drejtor i garave, nuk e ka gjetur veten në këto pozita", ka treguar kreu i FFK-së.

Ndërsa sa i përket deklaratës së KF “Llapi” se FFK i ka dhënë premi Prishtinës, Ademi është shprehur: “Nuk bëhet fjalë për 38 mijë euro, por bëhet fjalë për 12 mijë e 500 euro, të cilat i janë ndarë Prishtinës për shkak të të drejtave televizive, të paguara nga Digitalb dhe për 8 mijë euro, të cilat paguhen për akademinë e klubit nga një projekt i UEFA-s”.

Sipas Ademit, këto dy shuma parash ndahen për klubet qysh në fillim dhe iu dorëzohen klubeve kurdo që kanë nevojë. FFK-ja ia ka dhënë Prishtinës ato para pikërisht para ndeshjes kundër Llapit sepse atë herë i kishte kërkuar klubi kryeqytetas. 

“Ajo shumë 38 mijë euro, nuk qëndron dhe nuk ka qëndruar. Prandaj, jemi me të gjithë Komitetin këtu për ta sqaruar se ajo nuk qëndron. Klubet marrin vetëm ato para që u takojnë nga Federata e Futbollit, asnjë cent më shumë, përveç atyre që u takojnë. Ne do t’u ndihmojnë të gjitha klubeve aq sa kemi mundësi. Superliga i ka pagesat e të drejtës televizive, që i transmeton ndeshjet, që i kanë të rregullta, si dhe i kanë paratë e sponsorit IPKO. Secili klub i merr në baza të barabarta. Të gjithat pagesat do të verifikohen sepse të gjitha bëhen përmes bankës”.

“Kontratat me Digitalbin, çdo klub i ka nënshkruar në fillim të sezonit. Ne nuk kemi ndikim aty, por ne jemi për t’iu ndihmuar. Për këtë arsye, kur klubet kanë nevojë t’i marrin këto para më herët, ne ua japim më herët, siç ka ndodhur me 7 apo 8 klube këtë sezon, si Llapin”.

“Edhe klubet të cilat shkojnë në garat e UEFA-s, Europa League dhe Ligën e Kampionëve, ne ua japim paratë më herët për t’iu ndihmuar. Ndërsa 8 mijë euro i janë dhënë Prishtinës për akademinë e futbollit. Kjo shumë i jepet të gjitha klubeve dhe është projekt i UEFA-s”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat