Sokoli: Ekipi fizikisht ka probleme!

Futboll

Sokoli: Ekipi fizikisht ka probleme!

Nga: Kemajl Goca Më: 7 mars 2019 Në ora: 19:13
Sokoli: Ekipi fizikisht ka probleme!

Për katër ndeshje i fituan nëntë pikë në stinorin pranveror, është një mrekulli për Ferizajn, që kishte nisur garat me vetëm pesë stërvitje, pothuajse totalisht të papërgatitur fizikisht! Ferizaj është në pozitën e dhjetë me 24 pikë pas 21 jave në elitën e futbollit të Kosovës. Kryetrajneri i Ferizajt, prof. Bylbyl Sokoli, shprehet shumë i rezervuar për synimet në vazhdim të kampionatit, duke marr parasysh për vështirësitë që po hasin dhe ekipi që ka pak shumë pak përgatitje.  Ferizajasit e nisën me fitoren pjesën pranverore përkatësisht javën e 18-të, duke i shkaktuar humbje me 2:0 Trepçës ’89, pastaj si mysafir pësuan humbje 3:1 nga Drenica në Skenderaj.

Dy ndeshjet e fundit, i fitoi si vendas me 1:0 kundër Ballkanit (java e 20-të) dhe me 4:1 KEK-un (java e 21-të).  Prof. Sokoli, në katër ndeshje e para të pranverës, 3 fitore e 1 humbje apo nëntë pikët e fituar, a është një ecuri shumë e mirë? “Është shumë herët të flasim, jemi të suksesshëm apo jo, në xhirot në vijim duhet me dëshmuar këtë. Ende nuk mund të themi se ekipi i Ferizajt është stabilizuar dhe po mendoj që na ngelet edhe shumë punë me bë, sepse ende jemi larg qëllimit, ende fizikisht kemi probleme, fizikisht nuk kemi ekip që mundet me luajt 90 minuta.

Po bëjmë përpjekje të konsolidojmë ekipin, po kemi vështirësi”, thotë Sokoli për gazetën kombëtare “Bota sot”. Më tutje prof. Sokoli tha se do të jetë shumë vështirë për të mbijetuar, por shpreson me kalimin e javëve të arrijnë të mbledhin sa më shumë pikë. “Për Ferizajn do të jetë shumë vështirë edhe me luajt barazh, por do të bëjmë përpjekje që të ia dalim, të kalojmë në zonën e barazhit, nëse dalim në zonën e barazhit që të dalim nga aty e me shpëtuar pa barazh.

Do të jetë shumë vështirë, sepse kemi hyrë në kampionat pa fazë përgatitore e me pesë stërvitje. Ekipi fizikisht ka probleme, frikohemi sepse nuk kemi mundësi që në aspektin taktik të kemi qëndrueshmëri dhe këto problem shfaqën në çdo ndeshje dhe shihen. Duhet me thënë se djemtë jashtëzakonisht po angazhohen, po japim maksimumin, fatkeqësisht në afatin kalimtar kemi sjellë lojtar me numër të mjaftueshëm, një numër i lojtarëve ka shkuar, këto janë probleme evidente.

Po e paraqes gjendjen reale, kështu siç është Ferizaj do ta ketë shumë vështirë me shpëtuar. Nuk kemi pas fazë përgatitore dhe vonë kemi filluar, kemi shumë numër të vogël të lojtarëve në dispozicion, kryesisht grup të juniorëve, kjo është gjendja tash për tash”, tha kryetrajneri.

Në fundjavë kundër Dritës në Gjilan, kampion në fuqi, a mendoni se një pikë për ekipin tuaj do të jetë sikur fitore? “Drita është favorite, ne do të mundohem prezantohemi siç është më së miri, kuptohet me dhënë maksimumin edhe në se fitojmë pikë do të jetë e madhe”, përfundoi Sokoli.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat