Rriten pagesat për gjyqtarët e Kosovës

Futboll

Rriten pagesat për gjyqtarët e Kosovës

Më: 8 mars 2019 Në ora: 13:55
Rriten pagesat për gjyqtarët e Kosovës

Presidenti Agim Ademi së bashku me anëtarët e KE të FFK-së, sot, e kanë mbajtur një takim me gjyqtarët e të gjitha rangjeve, ku është analizuar rrjedha e deritashme e kampionatit si dhe u është ofruar mbështetje për punë profesionale dhe drejtësi maksimale në këtë edicion, duke pasur parasysh se kohët e fundit janë thumbuar nga disa klube. Me këtë rast, presidenti Ademi, në emër të KE-së, ua ka bërë të ditur gjyqtarëve se e vlerëson maksimalisht punën e tyre dhe beson te sinqeriteti i tyre.

“Ky është një kampionat shumë i rëndësishëm, të cilin e vlerësoj si më të mirin deri më tash. Ju jeni pjesë shumë e rëndësishme e jona sepse jeni të thirrur për drejtësi. Besoj dhe shpresoj që detyrën tuaj po e kryeni me suksesin më të madh. Jam shumë i lumtur që kam qenë vazhdimisht pjesë e juaja dhe që kemi arritur të krijojmë një kuadër të tillë, që padyshim është më i miri në regjion”, ka thënë presidenti Ademi para gjyqtarëve.

Tutje presidenti ka thënë se si në çdo profesion tjetër edhe në referim mund të ketë gabime, por kur ato janë të paqëllimshme, atëherë duhet të vlerësohen si gabime njerëzore dhe që sanksionohen sipas rregulloreve.

“Ju lus që të keni shumë kujdes gjatë ndarjes së drejtësisë, sepse tani jem në UEFA e FIFA dhe i kemi shumë investitorë të rëndësishëm në klube dhe duhet t’i ruajmë investimet e tyre duke gjykuar me drejtësi maksimale. Mund të vini deri te ata që munden t’iu ofrojnë edhe para, por mos harroni: paranë që merrni sot e harxhoni nesër, kurse fytyrën do ta bartni tërë jetën. Ju jeni fytyra më markante e FFK-së, prandaj bëjeni veten të madh në atë drejtim që si figura qendrore e një ndeshje t’ju duartrokasin 1 mijë, 5 mijë apo 7 mijë shikues sado qofshin në stadium dhe t’ua japin dorën çdo futbollistë dhe anëtarë të klubeve. E këtë mund ta bëni me drejtësinë tuaj. Mos e lejoni dikë që nesër apo pasnesër t’iu thotë fëmijëve tuaj babai yt është hajn! E di se ka shumë fjalë për juve, por ju jeni bijtë tanë, ne ju besojmë dhe do t’iu mbështesim deri në fund”, ka shtuar Ademi.

Ai në fund ka bërë të ditur se përkundër faktit se jemi federatë e vogël dhe pa shumë mjete, KE ka arritur që të sigurojë një fond për rritjen e pagesave për gjyqtarët pa i dëmtuar klubet. Kësisoj, nga java e ardhshme mëditjet e gjyqtarëve do të jenë si në vijim: Gjyqtarët kryesor në Superligë 200 euro, asistentët 150 dhe gjyqtari i katërt 100. Në Ligën e Parë, gjyqtarët kryesorë do të kenë mëditje 150 euro, derisa asistentët 120, kurse në Ligën e Dytë gjyqtarët kryesorë 100 euro e asistentët 80 euro.
Në emër të gjyqtarëve foli Besfort Kosumi, i cili falënderoi KE dhe posaçërisht presidentin Ademi për besimin që ka tek gjyqtarët dhe për vlerësimin që po ua jep atyre për t’iu ofruar kushte sa më të mira për drejtësi maksimale në çdo ndeshje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat