Bersant Celina: S’pendohem që u largova nga Man City, jam i lumtur në Swansea

Futboll

Bersant Celina: S’pendohem që u largova nga Man City, jam i lumtur në Swansea

Më: 11 mars 2019 Në ora: 15:16
Bersant Celina

Bersant Celina nuk ka asnjë pendesë për vendimin e tij për t’u larguar nga Manchester City. Ylli i ekipit kombëtar të Kosovës, ka këmbëngulur se është shumë i lumtur në Swansea City.

Celina u largua nga Manchester City në verën e vitit 2018, duke iu bashkuar Swansea City në Championship – nivelin e dytë të futbollit anglez – pasi nuk kishte gjetur hapësirë nën urdhrat e Pep Guardiolës.

Bashkë me kosovarin nga Man City larguan edhe dy talente të tjerë si Jadon Sancho dhe Brahim Diaz, me synim për të luajtur futboll rregullisht.

Tani në Swansea, Celina do të përballët me Guardiolan dhe ish-bashkëlojtarët e tij në çerekfinale të FA Cup të shtunën, pa asnjë pendesë.

“Nuk është turp aspak nëse nuk je në gjendje të zësh vend në ekipin e Manchester Cityt”, tha Celina për Mirror, përcjell Express.

“Standardi është absolutisht tepër i lartë dhe është shumë e vështirë për të rinjtë të zënë vend në ekipin e parë”, shtoi ai.

22-vjeçari ka synuar të zërë vend në ekipin e Guardiolës, por e pranon se ka qenë e pamundur të emrave të mëdhenj si Sergio Aguero, Kevin De Bruyne dhe Raheem Sterling.

“Natyrisht se kam dashur të jem pjesë e skuadrës, por City i ka lojtarët më të mirë në botë. Aguero, David Silva, Kevin De Bruyne, Raheem Sterling dhe Fernandinho të cilët janë duke performuar në nivelin më të lartë që sa vite”, shtoi ai.

Ai shpjegon se ka mundur të qëndrojë në City, me të cilin ka pasur kontratë edhe për disa vite, por nuk ia ka vlejtur.

“Po të doja, kam mundur të qëndroja në City dhe tash do të isha lojtar i Cityt. I kam pasur edhe dy vite kontratë, por nuk ia ka vlejtur të qëndroj”, shpjegoi ai.

“Doja të shkoja te një klub që më ka në pronësi dhe që më vlerëson si lojtar të klubit dhe jo thjesht si një lojtar të huazuar. Prandaj nuk kam pendesa që jam larguar nga City, larg asaj. Doja identitet”, tregoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat