Holandezi ka qenë i pa punë që prej kohës kur u shkarkua nga “djajtë” në fund të sezonit 2015-2016, dy ditë pasi kishte fituar Kupën.
Mediat e kishin lidhur me shumë ekipe që prej atëherë, ndërsa së fundmi u raportua se kishte refuzuar mundësinë që të drejtonte skuadrën holandeze Feyenoord sezonin e ardhshëm.
“Tani jam pensionist. Nuk kam ambicie të bëhem drejtor sportiv apo analist në ndonjë televizion. Gruaja ime e la punën e saj para 22 vitesh vetëm për të më qëndruar mua afër. I premtova se do tërhiqesha kur të mbushja 55, por qëndrova deri në moshën 65-vjeçare”, deklaroi Van Gaal në një televizion holandez.
Ai ka pasur një karrierë të suksesshme me Ajax, Barcelona, Bayern, kombëtaren e Holandës dhe së fundmi me Manchetser United.
Van Gaal fitoi Ligën e Kampionëve, 4 herë titullin kampion në Holandë, dy tituj në Spanjë, një në Gjermani dhe udhëhoqi Holandën në vendin e tretë në Kupën e Botës në vitin 2014.