Liverpooli ndeshet me Bayernin, Barcelona sfidohet nga Lyoni! 

Futboll

Liverpooli ndeshet me Bayernin, Barcelona sfidohet nga Lyoni! 

Më: 12 mars 2019 Në ora: 17:23
Liverpooli ndeshet me Bayernin, Barcelona sfidohet nga Lyoni! 

Sfidat e fundit të tetës së finales së Champions League do të zhvillohet nesër (21.00) në “Allianz Arena” në Munih mes Bayernit dhe Liverpoolit dhe në “Camp Nou” Barcelona ndeshet me Lyonin. Sfidat e para përfunduan pa gola (0:0) dhe secila skuadër i ka gjasa që të shkojë më tutje, por Barcelona është më afër qëllimit, pasi që ka përparësinë e fushës dhe cilësinë ndaj Lyonit. Trajneri i Liverpoolit Jurgen Klopp tregoi kujdes para ndeshjes së kthimit, një kundërshtar, i cili meriton respektin më të madh. “Bayerni është në një fazë më të mirë se ne. Bavarezët janë udhëheqësit e rinj të Bundesliga I. Ata janë kthyer në nivelin më të lartë të këtij sezoni, prandaj duhet të jemi të jashtëzakonshëm në ‘Allianz Arena’.

Nëse luajmë një ndeshje normale, nuk do të kemi mundësi kualifikimi për më tej”, ka thënë Klopp. Një nga shqetësimet më të mëdha të ish-trajnerit të Dortmundit do të jetë Robert Lewandowski, të cilën e drejtoi te verdhëezinjtë: “Ashtu siç veprohet gjithmonë me gjahtarët, është mirë që të bllokohen pasimet dhe krosimet e destinuara për të. Në këtë drejtim duhet të punojmë të gjithë”. Trajneri nga Gjermania, përveç rivalitetit sportiv, mohoi të ketë ndonjë shkak hakmarrjeje personale me Bayernin: “Nuk ka asgjë personale në këtë ballafaqim. Natyrisht, kur Bayerni i ka blerë lojtarët tanë, nuk isha i lumtur. Kjo nuk ishte e mirë për ne në Dortmund, por është pjesë e biznesit sportiv!”. Sulmuesi Mohamed Salah shihet si lojtari kyç për të tijtë në betejën e kthimit. “Do të jem i sinqertë, konkurrenca më prestigjioze për mua është Champions League. Megjithatë, ëndrra për të gjithë qytetin dhe klubin është fitimi i titullit në Premier League. Pra, jam i lumtur të sakrifikoj ëndrrën time për ëndrrën e tifozëve. Nëse e fitojmë, do të jetë diçka e madhe. Kjo është ajo, që jemi duke u përpjekur për të bërë”, tha Salah. Gjithsesi, egjiptiani nuk e humbet optimizmin:

“Duhet t’i fitojmë të gjitha ndeshjet tona dhe të shpresojmë që Manchester City do të gabojë diku, kështu që mund ta fitojmë titullin. Mendja ime është e kthjellët, nuk kam presion. Mentalisht jam i fortë. Ne duhet të shikojmë përpara dhe të shohim se çfarë do të ndodhë deri në fund të sezonit”.

Virgil van Dijk ka folur për sfidën, që e pret Liverpoolin. Mbrojtësi holandez këmbëngul se ai dhe shokët e tij të ekipit duhet ta rrisin nivelin e lojës së tyre. Ballafaqimi i parë në “Anfield” ka përfunduar në barazim pa gola. Pra, gjithçka rifillon nga zeroja. “Do të jetë një ndeshje emocionuese. Bavarezët luajtën shumë mirë në “Anfield”, u treguan mjaft të ngjeshur, veçanërisht në pjesën e prapme. Ata treguan shumë respekt ndaj nesh, - tha mbrojtësi qendror.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat