Karahoda: Për Lirinë çdo ndeshje është si finale 

Futboll

Karahoda: Për Lirinë çdo ndeshje është si finale 

Nga: Kemajl Goca Më: 14 mars 2019 Në ora: 10:24
Karahoda: Për Lirinë çdo ndeshje është si finale 

Liria nga Prizreni lufton me mish e më shpirt për ta siguruar mbijetesën në elitën e futbollit të Kosovës. Prizrenasit nuk qëndrojnë mirë në renditje, janë në pozitën e dhjetë me 24 pikë, por vetëm 4 pikë janë larg pozitës së tetë që siguron mbetjen në shoqërinë e më të mirëve. Në pesë ndeshjet e pranverës Liria nuk fitoi më shumë se pesë pikë, ka një fitore, dy barazime e dy humbje! Por nga ardhja në krye të klubit, Erdogan Celina, në dy ndeshjet e fundit ka fituar 4 pikë. Njohësit e kësaj loje më të popullarizuar në botë, shpresojnë se me trajnerin Celina mund të ia dalin, ta sigurojë ekzistencën. Sulmuesi Fatih Karahoda tha se do të luftojnë deri në pikën e fundit për të arritur qëllimin, mbetjen në ligë.

“Duke llogaritur ndeshjen me Trepçën ’89 ku fituam si mysafirë me 2:1 dhe pastaj barazimin (1:1) me Drenicën, po të na pyeste dikush para këtyre ndeshjeve, a do të ishit të kënaqur me 4 pikë, do të thoshim po, por pas ndeshjes me Trepçën ‘89 u rritën apetitet dhe kërkonim edhe tri pikë me Drenicën, por mbetem vetëm me 4 pikë”, tha Karahoda për gazetën kombëtare “Bota sot”. Ai thotë se ka shumë ndeshje deri në fund: “Në 11 ndeshjet e fundit do të japim maksimumin, kanë me pa një Liri me të vendosur e me të organizuar dhe me rezultate të mira”. Karahoda e pranon se janë në fazën e tretë dhe më të vështirë të kampionatit. “Tash ia nis faza e tretë, është orar i vështirë, prej këtyre kundërshtarëve nuk kemi kah ikim, duhet mi përballuar si vendas dhe si mysafirë.

Duhet të jemi vendosur, shumë angazhues dhe me dal me rezultate pozitive. Mendoj se çdo ndeshje është si finale, me kundërshtarë të fortë, duke ia nisur ndeshjes me Dritën, na përcjellin pastaj sfidat tjera si Llapi, Prishtina, Feronikeli etj. Me Dritën do të luftojmë për një rezultat pozitiv. Mendoj se pauza dyjavore (vër. jonë shkaku i ndeshjeve të kombëtareve të Kosovës) është e mirëseardhur, pasi që disa lojtarë janë të lënduar dhe shpresojmë të shërohen, ku do të mobilizohemi”, theksoi ai. Kampionati do të jetë shumë interesant edhe për skuadrat që luftojnë për mbetjen në elitë.

“Jemi shumë afër me pika me ekipet tjera,  por nuk do të varet nga Liria, por edhe nga rezultatet e ndeshjeve tjera, që do të ndikojë për pozitën tonë. Nëse fitojmë maksimumin e pikëve, mund t’i ikim barazhit, por edhe barazhi është një plus dhe që mund ta sigurojmë ekzistencën. Jemi duke luftuar për ekzistencë, për barazh dhe mos me ra direkt nga liga. Nëse luhet futboll korrekt, mund të arrijmë më shumë jo vetëm barazhin”, përfundoi Karahoda.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat