Çerekfinalet e Champions-it, Barcelona synon të shmangë këto dy rivalë

Futboll

Çerekfinalet e Champions-it, Barcelona synon të shmangë këto dy rivalë

Më: 14 mars 2019 Në ora: 13:19
Barcelona

Barcelona e Leo Messit u përgjigj me një fitore të madhe 5-1 në ndeshjen e kthimit të raundit të dytë të Ligës së Kampionëve, pas barazimit pa gola në fushën e Lyon. Nga dhoma e zhveshjes blaugrana kanë “filtruar” edhe preferencat e para në funksion të shortit të turit çerekfinal të këtij kompeticioni, që do të hidhet nesër në Nyon të Zvicrës nga UEFA. 

Sipas gazetës spanjolle “AS”, grupi katalanas ka ide shumë të qarta për këtë short. Përparësia absolute është të shmangin Juventusin dhe Manchester City, duke marrë parasysh se janë dy pretendentë të tjerë të mëdhenj të trofeut për këtë edicion.

Bardhezinjtë e impresionuan mjedisin Blaugrana me përmbysjen e jashtëzakonshme ndaj Atletico Madrid të trajnerit Simeone, ndërsa Manchester City ka në drejtim një njohës të mirë të Barcelonës, sikurse është Pep Guardiola. Ky i fundit ëndërronte të përplasej me Bayern Munich në çerekfinale, por bavarezët u eliminuan mbrëmë nga Liverpool. 

Dëshira për të pasur përballë një ish-skuadër të tij mund të bëhet realitet nga shorti i nesërm, por me Barcelonën në lojë. Nga shumë njerëz, “qytetarët” konsiderohen favoritë të mëdhenj për triumfin final. Futbollistët katalanas i kanë shprehur preferencat e tyre: duan “të peshkojnë” njërin mes Portos dhe Manchester United. 

Ajax, Tottenham dhe Liverpool ende konsiderohen kundërshtarë të pakëndshëm. Të gjithë do të duhet të presim edhe disa orë, ashtu si katalanasit. Shorti është planifikuar për të premten e 15 marsit, duke filluar nga ora 12:00. Aty do të zbardhen edhe çiftet çerekfinaliste të Champions-it.  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat