Ka lojtarë spanjollë shumë të mirë në skuadra si Chelsea, Atletico Madrid, Borussia Dortmund, Real Madrid, Bayern Munich, sa për të përmendur disa.
Shumë prej tyre janë grumbulluar nga trajneri i Spanjës, Luis Enrique, për ndeshjet e para të fazës kualifikuese për Euro 2020, të tjerë janë lënë në shtëpi. "Marca" ka dashur të tregojë se me lojtarët e përjashtuar nga lista mund të formohet një ekip i jashtëzakonshëm.
Këta janë titullarët e ekipit të të përjashtuarve, të cilët "Marca" i ka rreshtuar me skemën 4-4-2: Casillas; Azpilicueta, Bartra, Nacho, Marcos Alonso; Koke, Saúl, Tiago Alcantara, Isco; Paco Alcácer, Borja Iglesias.
Këtyre mund t'u shtohen edhe Raul de Tomas i Rayo Vallecano (në pronësi të Real-it), Sarabia i Sevilla-s, Suso i Milan-it, Williams i Bilbao-s, Diego Costa i Atletico Madrid e me rradhë. Disa nuk po kalojnë një moment të mirë formë, të tjerë janë jashtë planeve teknike të trajnerit.
Pasi ka rreshtuar emrat e lojtarëve që nuk janë grumbulluar, "Marca" ka ngritur pyetjen: "Jemi të sigurt se të grumbulluarit janë më të fortë se këta që janë lënë jashtë?".
Luis Enrique duhet të shpresojë që gjithçka të shkojë mirë në ndeshjet e para, përndryshe do të masakrohet nga shtypi spanjoll dhe jo vetëm.