Rexhepi: E dominuam ndeshjen

Futboll

Rexhepi: E dominuam ndeshjen

Më: 16 mars 2019 Në ora: 17:56
Rexhepi: E dominuam ndeshjen

Llapi ka barazuar 1:1 me Ballkanin në “Zahir Pajaziti” dhe kjo mund t’i kushtojë shtrenjtë në luftë për titullin e kampionit.

Trajneri, Xhengis Rexhepi, është shprehur i pakënaqur me rezultatin, ndërsa ka befasuar me vlerësimin për lojën që treguan futbollistët e tij, duke theksuar se ishte më e mira që nga ardhja e tij te Llapi.

“Kemi bërë të gjitha që një ekip futbolli duhet t’i bëjë në fushë për të fituar një ndeshje. Një gabim i vogël në fillim na kushtoi shumë”, deklaroi Rexhepi.

Më tej ai potencoi se merr përgjegjësinë e plotë për këtë barazim dhe thuri elozhe për futbollistët e tij.

“E dominuam ndeshjen, krijuam raste ndaj një ekipi të mirë si Ballkani, por nuk arritëm të shënojmë më shumë gola. Unë i falënderoj futbollistët për këtë paraqitje që ishte më e mira e këtij stinori. Fajtor për këtë barazim jam unë. Mirëpo, ne nuk do të ndalemi sepse futbolli i njeh edhe këto gabime”, shtoi ai.

Llapi renditet në pozitën e dytë me 48 pikë, 4 më pak se Feronikeli që e kryeson renditjen dhe një më shumë se Prishtina, por që këto dy skuadra e kanë nga një ndeshje më pak të zhvilluar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat