Me testin ndaj Danimarkës, Kosova nis misionin për EURO 2020

Futboll

Me testin ndaj Danimarkës, Kosova nis misionin për EURO 2020

Më: 21 mars 2019 Në ora: 11:25
Me testin ndaj Danimarkës, Kosova nis misionin për EURO 2020

Kombëtarja e Kosovës në futboll do të nis sonte (19.00) misionin për kualifikim në Kampionatin Evropian 2020. Djelmoshat tanë sonte do të sfidojnë gjigantin botëror, Danimarkën, ndeshje kjo miqësore, por që zhvillohet vetëm katër ditë para asaj zyrtare me Bullgarinë.
Danimarka momentalisht është e dhjeta në renditjen e FIFA-s, ndërsa në botërorin e vitit të kaluar u eliminua në 1/8 e finales, pas penalltive nga Kroacia.
Kombëtarja jonë, e zgjedhur më e mira nga Komiteti Olimpik i Kosovës për vitin 2018, është grumbulluar që nga e hëna, ndërsa dy janë mungesat e përzgjedhësit Bernard Challandes, Valon Berisha dhe Hekuran Kryeziu, të dy të lënduar.
Vitin 2018 kombëtarja e mbylli pa asnjë humbje, derisa zuri vendin e parë në grupin C të Ligës D në Ligën e Kombeve.
“Po e fillojmë një garë të re. Kemi pasur sukses në Ligën e Kombeve, por tash është tregim tjetër. Jemi në një grup me pesë ekipe dhe kemi mundësinë të luajmë dy miqësore. Miqësore nuk është fjalë e mirë por për ne është e nevojshme të luajmë me kundërshtarë të fortë dhe Danimarka është ndër kombëtaret më të mira në botë. Do të jetë një test shumë i mirë për ne, pasi do të fitojmë edhe përvojë”, ka theksuar Challandes.
Ndeshja e sotme nis në ora 19:00. Kosova ndodhet në grupin A kualifikues për EURO 2020, bashkë me Anglinë, Republikën e Çekisë, Malin e Zi dhe Bullgarinë. Me Bullgarinë takohet të hënën në stadiumin Fadil Vokrri, shkruan në faqen e Komitetit Olimpik të Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat