Kombëtarja e Shqipërisë do të nisë fushatën eliminatore për “Euro2020” kundër ekipit të Turqisë. Skuadra shqiptare do të kërkojë të ripërsërisë veten me fitoren 2-3 kundër turqve në miqësoren e zhvilluar në 2017.
Një armë plus që pritet të kenë djemtë e Christian Panuccit në misionin e tyre të vështirë është mbështetja e tifozerisë duke qenë se takimi luhet të premten, prej orës 20:45, në stadiumin “Loro Boriçi”, të Shkodrës.
Stadiumi i Shkodrës duket se nuk do të mbushet në kapacitetet maksimale, pasi deri tani janë shitur vetëm 9 mijë bileta. Informacion i marrë nga Telesport nëpërmjet agjencisë së shitjes së biletave.
“Loro Boriçi” ka një kapacitet total prej 16 mijë vendesh. Një shifër alarmante kur mendon rëndësinë e ndeshjes dhe nevojën për t’i nisur mbarë këto eliminatore.
Shqiptarët e kanë zakon që biletat t’i blejnë në ditën e fundit dhe të premten mund të rritet numri i biletave të blera.
Kujtojmë se FFK ka shitur të gjitha biletat për ndeshjen miqësore kundër Danimarkës.