Fadil Muriqi flet se si e pa Kosovën me Danimarkën dhe çfarë pret kundër Bullgarisë

Futboll

Fadil Muriqi flet se si e pa Kosovën me Danimarkën dhe çfarë pret kundër Bullgarisë

Nga: Kemajl Goca Më: 22 mars 2019 Në ora: 11:43
Fadil Muriqi

Kosova mori rezultat fantastik, duke barazuar me rezultat 2:2 në miqësore me kombëtaren e fuqishme Danimarkën, në ndeshjen që u zhvillua në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.  Djelmoshat e Kosovës morën komplimente të panumërta për angazhimin, lojën shumë të mirë dhe për rezultatin edhe pse vetëm sekondat e fundit e ndanë nga fitorja.

Një barazim që iu jep motiv shtesë për sfidën e radhës që luhet në stadiumin “Fadil Vokrri” pikërisht me 25 mars kundër Bullgarisë, në kuadër të grupit A të kualifikueseve për Kampionatin Evropian 2020. Ish futbollisti i mirënjohur i gjeneratës së artë të Prishtinës të viteve të 80-ta, Fadil Muriqi, ndryshe tandem në atëkohë me kapitenin, të ndjerin Fadil Vokrri, që ende kujtohet ajo gjeneratë që shkëlqente në ish Jugosllavi. Kur përmendet emrat e Muriqit, Vokrrit, Batroviqit, Shalës, Nexhipit, Kelmendit, Shengylit, Canës, Rugovës, Sinanit, etj. i kaplon një lloj drithërime gjeneratën e vjetër apo armatën e tifozëve të asaj kohe!

Image

Fadil Muriqi është i ngazëllyer për barazimin që nxori Kosova ndaj Danimarkës, por i vije keq që në sekondat e fundit pësuan gol dhe ia mohoi fitoren djemve tanë, por ky është futbolli. Muriqi tash e një kohë jeton e vepron në Melboourn të Australisë së largët, por gjithnjë me zemër e me mendje te Kosova. Ai flet për gazetën kombëtare “Bota sot” se si e pa Kosovën mbrëmë dhe çfarë mendon para sfidës me Bullgarinë dhe a ka gjasa që edhe ta kalojnë grupin. “Mendoj se te ju ka qenë mbrëmë e te ne mëngjes, por e kam përcjell ndeshjen me shumë vëmendje dhe jam i kënaqur me rezultatin dhe lojën që kanë treguar djelmoshat tanë. Kanë treguar lojë shumë të mirë dhe ishin afër fitore ndaj një superfuqie botërore, por penalltia dhe goli i dytë ranë nga kundërshtari.

Image

Fadil Muriqi i dyti ulur majtas

Djelmoshat kanë dhënë kontribut të mirë dhe është një prirje pozitive për takimet e radhës, sidomos për sfidën me Bullgarinë, me siguri presim të na gëzojnë edhe me tepër”, thotë Muriqi.  Më tutje tha se djemtë kanë fituar besimin: “Djelmoshat kanë fituar vetëbesimin së bashku me trajnerin dhe kanë një harmoni të shëndoshë, besoj se nuk do na zhgënjejnë edhe me tutje”.  Cilat ishin pikat më të forta të kombëtares së Kosovës karshi Danimarkës?

Image

Kapiteni Fadil Muriqi me të bardha para një ndeshje në ish elitën e futbollit jugosllav në vitin 1987, kundër Vardarit dhe kapitenit Darko Pançev

“Unë mendoj se vija mesit ka kontribuar dhe ka qenë mjaft në nivel, normalisht edhe sulmuesit kanë sulmuar, mbrojtja ka qenë mjaft e mirë, hiq në momentin e fundit, ndoshta i ka lëshuar vëmendja dhe e shfrytëzuan rastin që të barazojnë.

Në përgjithësi ndeshja ka qenë mjaft e organizuar mirë edhe nga mbrojtja edhe mesfushorët, sidomos sulmi, nuk ka qenë ndonjë dobësi e madhe ne përgjithësi e skuadrës së Kosovës”, përgjigjet Muriqi. Ish futbollisti i mirënjohur tha se është kënaqësi kur sheh një kohë pa humbje Kosovën: “Sigurisht kanë shumë takime edhe miqësore edhe kualifikuese (Liga e Kombeve)  që ende nuk kanë humbur, me te vërtet edhe Kosovës ia kanë frikën edhe kombëtaret më të forta”.

Jemi në prag të ndeshjes Kosovë-Bullgari, si e sheh këtë sfidë dhe a më shumë ka presion Kosova apo Bullgaria? “Sigurisht në presion janë te dyja skuadrat, por mendoj se Bullgaria janë me tepër në presion sepse Kosova ka arritur një rezultat mjaft të mirë dhe aty ku janë deri me tash nuk kanë humbje, shpresoj se të gjitha gjërat do të shkojnë mjaft mirë”, tha ai.

Sa i përket gjasave të Kosovës për kualifikim në Kampionatin Evropian, Muriqi tha: “Këtu në futbolli modern nuk ka edhe aq favoritë, vetëm mund të jenë në letër. Kosova është një shtet i ri, një përfaqësuese e re dhe bën gara për herë të parë në kualifikueset për Kampionatin Evropian, kështu që nuk ka favoritë të sigurtë sikur ka qenë përpara Brazili, Argjentina, Italia etj. por çdo skuadër mund te jetë e mposhtur prej çdo kujt”, shprehet Muriqi.

Image

Vëllezërit Fadil e Xhevdet Muriqi

A jeni të angazhuar si trajner në ndonjë ekip në Australi apo ende vazhdoni pushimin? “Për momentin nuk jam i angazhuar dhe shumë shpejt do t’i përfundoj pushimet, të aktivizohem në futboll me gjeneratat e reja, edhe pse puna dhe koha nuk me premton më shumë.

Image

Xhevdet Muriqi, Kujtim Shala e Fadil Muriqi

Mendoj se do të gjej veten dhe do t’i ndihmojë edhe skuadrës tjetër Prishtinës së Melboournit e Shqiponjës”, nënvizoi Muriqi.

Image

Fadil Muriqi, ulur i dyti nga e djathta

Në fund deklaroi se ka kontakte me miqtë e tij në Kosovë, por për shkak të ndryshimit të kohës me orë, komunikimi është më i rrallë dhe kryesisht bëhet përmes rrjetit social facebook. Por dëshira e Muriqit është që Kosova të vazhdojë me rezultate të mira. “I dëshiroj një lojë të mirë përfaqësueses së Kosovës dhe të na gëzojnë me rezultate sikur edhe kanë filluar edhe kundër Bullgarisë”, përfundoi Muriqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat