Mali i Zi i frikësohet Kosovës për kualifikimet në EURO: Ata s’po bëjnë shaka

Futboll

Mali i Zi i frikësohet Kosovës për kualifikimet në EURO: Ata s’po bëjnë shaka

Më: 22 mars 2019 Në ora: 13:53
Tifozët e Kosovës

E përditshmja malazeze, Vijesti, i ka paralajmëruar lexuesit e saj se Kosova nuk do të jetë aspak kundërshtar i lehtë në Grupin A, për kualifikimet në EURO 2020, pas ndeshjes kundër Danimarkës.

“Dardanët” kishin qenë në epërsi dy herë gjatë ndeshjes së mbrëmshme në “Fadil Vokrri”, mirëpo Danimarka arriti ta barazojë rezultatin në të dy rastet dhe ndeshja përfundoi 2:2.

Me këtë barazim ndaj ekipit danez, që është në pozitën e dhjetë në ranglistën e FIFA-s, Kosova e vazhdon ecurinë e ndeshjeve pa pësuar disfatë, e cila tani po vazhdon që 11 ndeshje.

“Hojbjerg [i cili e shënoi golin e barazimit në fund të ndeshjes] ia rrëmbeu Kosovës një fitore të madhe. Mirëpo, barazimi me këtë skuadër të fortë sugjeron se ekipi i Kosovës është kundërshtar i mirë në Grupin A”, shkruan Vijesti.

“Ekipi kombëtar i Kosovës, kundërshtarit i Malit të Zi për kualifikimët në EURO 2020, e tregoi fuqinë në ndeshjen ndaj Danimarkës”.

Kosova do të përballet me Anglinë fillimisht më 7 qershor, e pastaj skuadra e Ljubisa Tumbakovic do të vijë në stadiumin “Fadil Vokrri”, më 14 tetor. Këto dy ndeshje do të jenë të vlefshme për Grupin A në kuadër të kualifikimeve për EURO 2020.

Në këtë grup janë edhe Bullgaria, Republika Çeke dhe Mali i Zi. Ndeshja e radhës së Kosovës, e cila do të zhvillohet të hënën, do të jetë pikërisht ndaj Bullgarisë, kundër së cilës Kosova e fillon rrugëtimin drejt EURO 2020. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat