Paçarada: Të mendojnë më shumë për këtë publik

Futboll

Paçarada: Të mendojnë më shumë për këtë publik

Nga: Kemajl Goca Më: 22 mars 2019 Në ora: 16:03
Paçarada: Të mendojnë më shumë për këtë publik

Mbrëmja e të enjtes (me 21 mars) do të mbahet mend gjatë për spektaklin e futbollit në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ku kombëtarja e Kosovës barazoi me rezultat 2:2 me Danimarkën, në një miqësore, që iu shërbeu të dyja kombëtareve që të shohin formën në prag të ndeshjeve kualifikuese për Kampionatin Evropian 2020. Djelmoshat tanë shfaqën lojë shumë të mirë dhe kënaqën të gjithë, si me angazhim si me lojë dhe u shënuan gjithsej 4 gola. Ish portieri i gjeneratës së artë të Prishtinës, Shukri Paçarada, tha se Kosova ka bërë lojë të mirë, janë pjekur si grup, por ka edhe vërejtje që duhet përmirësuar për të ardhmen.

“Së pari shoqëria jonë duhet të mendoj më shumë për këtë publik të mrekullueshëm, ndjej keqardhje për at publik që nuk po ka mundësi të ndjek këto spektakle”, tha Paçarada. Ai tha se ka edhe vërejtje që bëhen në faza të caktuara. “Sa i përket lojës kam pa dy gjëra që na ndihmojnë për të ardhmen, një po tregojmë që jemi pjekur si grup për të përballu nivele më të larta, dhe dy, kemi vërejt gabimet që duhet në faza te caktuara të jemi më të përgjegjshëm me topin se mundesh lehtë të dënohesh.

Në përgjithësi lojë shumë e mirë për të ardhmen”, thotë Paçarada. Duhet theksuar se pjesë e kombëtares së Kosovës është djali i Shukriut, Learti, që luan në repartin e mbrojtjes dhe njëherësh është pjesë e skuadrës së Sandhausenit, që bën gara në Bundesliga II. Tani fokusi është për ndeshjen e radhës, ndaj Bullgarisë, në kuadër të xhiros së parë të grupit A të kualifikueseve për Kampionatin Evropian. Të gjithë janë në pritje të kësaj sfide dhe me një optimizëm se Kosova do të dal me rezultat pozitiv (me fitore).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat