Piontek zbulon prapaskenën e transferimit: Te Milani prej Levandovskit, jam gati të ulem në stol, por…

Futboll

Piontek zbulon prapaskenën e transferimit: Te Milani prej Levandovskit, jam gati të ulem në stol, por…

Më: 22 mars 2019 Në ora: 18:36
Leva dhe Piatek

I grumbulluar te Polonia, por me Milanin në zemër. Kristof Piontek është thirrur për herë të katërt në karrierë në kombëtaren e madhe të vendit të tij, e megjithëse në prag të ndeshjes kundër Austrisë, shumica e pyetjeve janë për kuqezinjtë, ekip të cilit ai iu bashkua për 35 milionë euro gjatë merkatos së janarit.

Dhjetë paraqitje, tetë gola për 23-vjeçarin, i cili, në më pak se dy muaj, u shndërrua në simbol të Milanit për rrugëtimin drejt një prej katër vendeve të para. Piontek ka dhënë një intervistë për “Przeglad Sportowy”, ku komenton zhvillimin e tij në shtatë muajt e fundit.

Çfarë ka ndryshuar në karrierën tuaj pas transferimit te Milani?

Kam shtatë muaj në Itali dhe kam ndryshuar shumë aspekte të miat si futbollist. Kam bërë shumë progres në nivel taktik, fizik dhe teknik, por sidoqoftë mund e them pa frikë se nga Polonia u largova i përgatitur. Nuk e prisja të largohesha aq shpejt nga Xhenoa, por te Milani jam përshtatur menjëherë dhe besoj se e kam treguar.

Në fakt, keni pasur impakt më se pozitiv…

Kam pranë shumë shokë cilësore, megjithatë nuk ndihem inferior ndaj askujt. Mbase jam më i mirë se disa prej tyre. Përveç se e imja, merita është e trajnerëve që më kanë stërvitur, ndaj shpresoj të jem frymëzim për brezat e të rinjve në Poloni.

Nuk është e lehtë të bësh kaq shumë hapa në kaq pak mua, aq më tepër nga Krakova te Milani apo jo?

Sigurisht që kam pasur edhe fat, por sidoqoftë te Milani pranova të transferohem sepse ndihesha gati për të luajtur. E njëjta situatë është edhe te Polonia. Jam gati për të zbritur në fushë, megjithatë do të pranoj vendimin e trajnerit siç kam bërë gjithmonë. Nuk do të më shihni kurrë duke u ankuar nëpër media, jam profesionist dhe respektoj këdo. Sa i përket kombëtares, nuk e imagjinoj dot që të ul në stol Levandovskin, që për mua mbetet mes tre sulmuesve më të fortë në botë.

Milani përflitet se do të ndryshojë skemë, jeni gati për një qëndrim taktik?

Kam lindur gati dhe e përsëris. Te Krakova kam luajtur i vetëm në sulm, me një shok në krah ose pas vetes. Di të luaj më shpinë nga porta, ndaj mendoj se çdo rol sulmi më përshtatet, përveç sulmuesit të krahut, një rol që e kam bërë vetëm dy herë në karrierë. E shoh veten si një pykë të ngjashme me Levandovskin.

Meqë e përmendët, si është raporti juaj?

Unë, Roberti dhe Milik jemi miq, përveçse shokë skuadre që konkurrojmë për të njëjtin rol. Raporti është shumë i mirë, madje kur do të transferohesha te Milani, u këshillova pikërisht me Levandovskin. Ai më mbështeti dhe vazhdon të më japë udhëzime të vyera.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat