Mourinho do t’i kthehet futbollit në qershor

Futboll

Mourinho do t’i kthehet futbollit në qershor

Më: 23 mars 2019 Në ora: 18:30
Jose Mourinho

Tre muaj pasi u shkarkua nga Manchester Unitedi, Jose Mourinho është i gatshëm t’i kthehet futbollit edhe një herë tjetër.

Ish-trajneri i Manchester Unitedit, Jose Mourinho, synon të kthehet në pozitën e trajnerit të ndonjë klubi sapo të përfundojë ky sezon, në qershor, dhe ka zbuluar se me cfarë lloj klubi dëshiron t’i kthehet futbollit.

Mourinho ka qenë i papunësuar që nga 18 dhjetori i vitit të kaluar, kur u shkarkua nga posti i trajnerit të Manchester Unitedit, pas një ecurie rezultatesh të këqija, që e la klubin në pozitën e gjashtë në tabelën e Premierligës, 19 pikë prapa liderit, Liverpoolit.

“Ajo që e kam në mendje është të kthehem verës, në qershor, te një klub i ri, për një turne parasezonal të ri. E di saktësisht se çfarë dua. Kjo është arsyeja pse i kam refuzuar shumë klube”, ka thënë Mourinho.

Në janar, portugezi kishte thënë se nuk do ta drejtonte më ndonjë klub tjetër në Angli, pas Manchester Unitedit e Chelsea. Megjithatë, 56-vjecari e ka përjashtuar edhe mundësinë e drejtimit të ndonjë ekipi kombëtar.

“Mendoj se puna e drejtimit të ekipit kombëtar është shumë specifike. Mua më pëlqen futbolli ditor, më pëlqen puna ditore, më pëlqejnë garat e shumta, më pëlqejnë ndeshjet dhe dua të qëndroj në futbollin e klubeve. Por, kush e di?!”, shtoi portugezi. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat