Aliti: Bullgaria ka ekip cilësor dhe do të jetë e vështirë, por përgatitemi maksimalisht

Futboll

Aliti: Bullgaria ka ekip cilësor dhe do të jetë e vështirë, por përgatitemi maksimalisht

Më: 23 mars 2019 Në ora: 20:17
Fidan Aliti

Kombëtarja e Kosovës po vazhdon përgatitjet e saj para ndeshjes së parë në eliminatoret e Euro 2020.

Në stërvitjen e mbajtur sot në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ janë stërvitur gjithë grupi së bashku, por një lajm i keq ka ardhur nga Benjamin Kololli, i cili me gjasë nuk do të jetë i gatshëm të paraqitet ndaj Bullgarisë.

Anash kësaj, fryma në kampin e dardanëve është pozitive, dhe lojtarët mezi po presin përballjen e së hënës.

I emocionuar për ndeshjen e radhës është edhe mbrojtësi i kombëtares, Fidan Aliti, i cili ka thënë se lojtarët po përgatiten maksimalisht.

“Me padurim presim ndeshjen e së hënës ku sërish presim të kemi mbështetjen e fuqishme të tifozëve tanë. Bullgaria ka ekip shumë cilësor dhe sigurisht se do të jetë ndeshje e vështirë, mirëpo ne po përgatitemi maksimalisht dhe gjërat e mira që i kemi bërë në miqësoren kundër Danimarkës do të mundohemi t’i përsërisim, derisa ato që i kemi bërë gabim duhet t’i përmirësojmë” ka thënë Aliti.

“Jemi në një seri të mirë pa humbje dhe tani jemi plotësisht të përqendruar për të dhënë maksimumin në 90 minutat kundër Bullgarisë dhe për ta nisur ciklin kualifikues për Euro 2020 me fitore” ka shtuar ndër të tjerash Fidani.

Aliti është përshtatur mjaft mirë në qendrën e mbrojtjes, ku me Amir Rrahmanin kanë krijuar një tandem të shkëlqyeshëm, dhe janë dyshja kryesore e mbrojtjes së Bernard Challandes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat