Gjeraj: Presioni e motivon Besën!

Futboll

Gjeraj: Presioni e motivon Besën!

Nga: Kemajl Goca Më: 26 mars 2019 Në ora: 10:42
Gjeraj: Presioni e motivon Besën!

Gjithçka është e paqartë secilat nga skuadrat do të janë në dy vendet e para në Ligën e Parë të Kosovës, pozita që shpien direkt në elitën e futbollit. Gara është e ashpër, ku luftojnë pesë skuadra, si Vushtrria që udhëheq kreun me 47 pikë, pasojnë Besa me 44, Dukagjini 40, Vitia 37 e Vëllaznimi me 36, pa e lënë anash edhe Onix-in që ka 31 pikë.

Besa nga Peja, skuadër me traditë, shpreson se do ta ruajnë pozitën e dytë deri në fund eventualisht të marrin edhe kreun e renditjes. Optimist shprehet Robert Gjeraj, i cili mendon se nëse në pesë javët e ardhshme nxjerrin rezultat të favorshëm pothuajse edhe e kanë të sigurt ngritjen në shoqërinë e më të mirëve.  Deri në fund janë edhe dhjetë javë edhe 30 pikë të mundshme dhe gjithçka është e paqartë.

Futbollisti me përvojë shprehet se për Besën ka qenë njësoj si me vazhduar kampionati apo edhe ky pushim është i mirëseardhur për shkak të aktiviteteve të kombëtareve, megjithatë sipas tij, klubi pejan është në formë të mirë dhe pretendon rikthimin në elitë. “Mendoj se për Besën është njësoj si me pas vazhduar apo jo kampionati, sepse jemi në formë të mirë. Në tri ndeshjet e fundit kemi po aq fitore dhe po kalojnë në një zinxhirë të mirë të rezultateve.

Ekipi ynë ka pasur shumë ndryshime prej vitit të kaluar, sigurisht ky pushim paksa ka ndikuar edhe të komponohemi edhe më mirë, pasi që tash e disa ditë jemi në Durrës të Shqipërisë, duke i vazhduar përgatitjet. Megjithatë, ky pushim është i mirëseardhur për ato ekipe që kanë probleme, ndërsa për ne ka shërbyer për mi konsoliduar radhët dhe kemi ngritur edhe formën. Kryesia na ka mundësuar me vazhduar me përgatitje në Durrës, që është shumë perfektë.

Kjo është e mirë me u përgatitur edhe më shumë kur dihet se jemi në fazën finale, që vendoset se cila do të jenë në dy vendet e para. Është faza më e vështirë, kur dihet se kanë shkuar katër javët e para të pranverës  dhe mendoj se nëse pesë xhirot tjera i kalojmë me sukses, atëherë 98 për qind jemi pjesë e Superligës”, shpreh optimizmin Gjeraj.

Lufta për dy vendet para është e ashpër por edhe për pozitën tre e të katërt që shpie në barazh, duke mos harruar edhe skuadrat që luftojnë me ngulm të ikin nga pjesa e poshtme e renditjes. Gjeraj i ka të gjitha këto parasysh, por ka besim të madh në ekipin e tij, që do t’i realizojnë synimet.

 “Kemi presion për vend të dytë dhe që është i mirë ne. Besoj në fund do të jemi ja në vend të parë apo të dytë. Është më mirë që kemi presion nga pozita e tretë dhe e katërt sepse na motivon më shumë, nuk na lejon që të jemi komod në asnjë ndeshje. Më shumë telashe mund të kemi nga Dukagjini i Klinës dhe Vëllaznimi nga Gjakova, por nuk do të lejojmë që të befasohemi apo të na ikin njëra nga dy vendet e para. Besoj se në fund do të hyjmë në elitë, këtë e meritojmë dhe në anën tjetër jemi pak me larg me pikë nga pozita e tretë dhe e katërt”, theksoi ai. Futbollisti mendon se do të jetë luftë e ashpër për dy vendet e para por zotohet se do të luajnë në secilin takim me seriozitet të madh.

“Edhe trajneri na ka futur në kokë që çdo ndeshje është si finale dhe deri në fund do të luajmë me seriozitet, pa e nënçmuar asnjë ekip. Dihet se Vushtrria është konkurrencë me ne dhe me ta mendoj se do ta kemi fjalën kryesore, por ta shohim se cila do të përfundojë e para, pa e përjashtuar edhe Dukagjinin dhe Vëllaznimin, ndërsa sa i përket Vitisë se besoj që e mbajnë ritmin, pasi që si mysafirë po luajnë dobët. Vushtrria mund të arrijë në barazh vetëm nëse bëjnë gabime Vëllaznimi dhe Dukagjini, atëherë ata mund të futen nga plani i dytë, ndryshe e kanë shumë të vështirë.  Vëllaznimi dhe Dukagjini kanë ekip të mirë dhe traditë, por mbetet të shihet se si do të rrjedhin gjërat deri në fund”, nënvizoi mesfushor-mbrojtësi.

Mirëpo, liga e parë tani ka ndryshuar dhe nuk luhet sikur para 6-7 viteve. Tani luhet më fortë e më ashpër dhe rivaliteti është edhe më i madh dhe asnjë ekip nuk e ka luksin e kalkulimit. “Para 6-7 vjetësh kam luajtur në ligën e parë por nuk ka qenë kështu, tash është më ndryshe dhe më vështirë në ligën e parë, sepse luhet më fortë e më ashpër, kështu që luftojnë për diçka. Janë shumë skuadra që e kërkojnë barazhin por edhe një numër i madh që kërkojnë t’i shmangen pjesës së poshtme të tabelës.

Luhet futboll më i fortë se në Superligë, çdo ndeshje është si finale dhe problem me arritur deri te rezultati. Mendoj se Liga e pare është shumë më interesante se elita, sepse 6-7 skuadra luftojnë për barazh e po aq skuadra edhe për ekzistencë, kjo është bukuria e futbollit. Për fat keq shumë skuadra e meritojnë elitën, por për fat të keq janë në ligën e parë. Sikur të ishin ato në Superligë do të ishte edhe më mirë, do ta shtonte shijen dhe ngriste edhe rivalitetin po ashtu edhe shikueshmërinë”, theksoi futbollisti.

Gjeraj merret vetëm me futboll edhe pse kishte bërë përpjekje të punësohet edhe si teknik medicional por pa sukses, sepse sipas tij, nuk është njeriu që i takon partive dhe as nuk ka të njohshëm. “Unë merrem vetëm me futboll dhe me asgjë tjetër.

E kam kryer shkollën për teknik medicional, por ende jam i pa punë. Kam konkurruar për t’u punësuar në spitale apo institucione tjera, për fat të keq nuk kam arritur. Për momentin. si krejt qytetarët e Kosovës, për të gjet punë të shtetit duhet të jesh në parti ose të kesh të njohshëm, unë asnjërën nuk e kam. Jam sportist dhe nuk i takoi partive politike.

Një kohë me thanë, duhet me kryer praktikë 6 mujore si teknik medicional, e kam kryer dhe kur shkova: me thanë duhesh me kryer fakultetin! Këtë të fundit e kam lënë anash shkaku i futbollit. Megjithatë jam i licencuar si teknik medicinal edhe nga ministria e shëndetësisë, por i kam dyert e mbyllura që të punësohem në punë shteti”, tregon Gjeraj. Futbollisti është i lidhur lidhur me një kompani menaxheriale të Zvicrës, me mision për të vëzhguar telentet e futbollit në Kosovë dhe ndonjë t’i propozojë për ta dërguar në ndonjë klub jashtë vendit.

“Jam i lidhur me një kompani menaxheriale së Zvicrës dhe unë i vëzhgojë lojtarët e rinj 19-20 vjeç. Obligimi im është me zbuluar ndonjë talent dhe më i propozuar kompanisë që ta marrin në prova dhe nëse kalon atëherë është e mira prej më të mirave”, përfundoi Gjeraj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat