Donadoni te Shqipëria, po rrogën ia paguan kryeministri?

Futboll

Donadoni te Shqipëria, po rrogën ia paguan kryeministri?

Më: 26 mars 2019 Në ora: 15:55
Donadoni te Shqipëria, po rrogën ia paguan kryeministri?

Shkarkimi i Christian Panuccit ka hapur zyrtarisht "lojën" se cili do të jetë emri i rradhës që do të ulet në stolin e Shqipërisë, me gjithë respektin për Ervin Bulkun, që për një natë mund të tregojë që mori një fitore më rëndësi dhe jetike për fatet e kuqezinjve.

Presidenti i kombëtares shqiptare të futbollit, Armand Duka, pasi ka dribluar "me stil" se Eduardo Reja nuk ishte kurrë një mundësi - edhe pse çuditërisht qëndruan të bisedonin rreth një orë pas ndeshjes Shqipëri-Turqi në "Loro Boriçi" - po merr dhjetra mesazhe agjentësh që ofrojnë trajnerë për pankinën e kombëtares.

Tani është ai momenti ku të gjithë duan të fitojnë "një copë" të tortës dhe të hedhin themelet për të provomuar futbollistët e tyre e kështu me rradhë. Diçka e pashmangshme në kombëtare, që është i vetmi "diamant" që mund të gjenerojë para, pasi është ambasadori i vendit tonë, falë edhe historisë në Euro 2016.

Por, të kthehemi të kandidatët imagjinarë. Emra pafund, vetëofrime dhe ide të çmendura. Të gjitha për të krijuar një rrjetë merimange të cilën vetë kreu i futbollit do ta fshijë në momentin kur të zgjedhë. Pasi Reja ka thënë "jo", Duka sheh përreth. E preferon sërish italian dhe deri këtu është gjithçka "ok". Cili mund të jetë? Në fillim, sa para janë në buxhet për trajnerin dhe stafin e tij? Jo më shumë se 400 mijë euro. Atëherë, përpara se të bëhen emra, të dihet edhe numri i tyre i llogarisë bankare.

Po qarkullon edhe emri i Roberto Donadonit. E çuditshme, ish-trajneri i Italisë, Bolognas, ish-futbollist i viteve të arta të Milanit, do të mjaftohej me një kothere bukë në Shqipëri. Ah, mos ndoshta kryeministri i vendit ka dalë vullnetar të paguajë 1 mln euro që kërkon minimalisht Donadoni? Mbase, por ka halle të tjera, si Luli apo Monika.

Te Bologna e shkarkuan me rrogë 1,2 mln euro, vetëm disa muaj më parë. Kështu që, përpara se t'i besojmë edhe faktit që peshku mund të jetojë edhe jashtë ujit, bëjmë mirë të zhysim kokën dhe ta shohim brenda ujit...

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat