Interi kërkon Hysajn, De Laurentiis alarmohet dhe kërkon takim

Futboll

Interi kërkon Hysajn, De Laurentiis alarmohet dhe kërkon takim

Më: 28 mars 2019 Në ora: 11:25
Elseid Hysaj

Lajme të këqija për tifozët napolitanë, që duken sy e veshë nga portalet e ndryshme italiane të informacionit. Ata kanë mësuar sot se Interi ka treguar një interes të fortë dhe serioz për Elseid Hysajn, mbrojtësin e djathtë shqiptar, të datëlindjes 1994, për të zëvendësuar Sime Vrsaljko dhe Cedric Soares (i pari është i huazuar nga Atletico Madrid dhe i dyti nga Southampton). 

Klubi zikaltër po mendon për një zgjidhje përfundimtare në këtë rol, sidomos pas performancës zhgënjyese të dy emrave të cituar më sipër. Ajo që do t’i bënte të besueshme këto thashetheme merkatoje, që shkruhen në gazetat e ndryshme italiane, është dëshira reciproke e palëve. Kjo është shprehur në dy takime të zikaltërve me përfaqësuesin e lojtarit tonë të kombëtares, ku Interi ka konfirmuar në mënyrë të përsëritur dëshirën për ta marrë Hysajn në Milano.

Nga ana tjetër, presidenti Aurelio De Laurentiis nuk do ta humbasë shqiptarin, një lojtar i konsideruar thelbësor nga Ancelotti, në planet e tij taktike. Për këtë arsye, sot është caktuar një takim me menaxherin e shkodranit kuqezi, Mario Giuffredi, të cilit klubi napoletan dëshiron t’i paraqesë një propozim për rinovim prej 2.4 milionë euro neto në sezon. 

Midis palëve ka ende distancë dhe duket e pamundur që një marrëveshje të arrihet në një kohë të shkurtër. Në fakt, Hysaj do të kërkojë së paku 600 mijë euro më shumë, duke e çuar pagën e tij në 3 milionë euro neto në sezon. Ajo që e bën interesin e Interit një kërcënim të vërtetë për Napolin është ndjenja e njohur e Hysajt për ngjyrat zikaltër, një lidhje shpirtërore që ka ekzistuar që kur ishte fëmijë, kur kishte idhull Maicon. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat