Skandali, klubi i madh grek përdor fëmijët e Luftëtarit

Futboll

Skandali, klubi i madh grek përdor fëmijët e Luftëtarit

Më: 28 mars 2019 Në ora: 11:52
Skandali, klubi i madh grek përdor fëmijët e Luftëtarit

Skandal me akademinë e futbollit Luftëtari, lojtarët e vegjël përdoren për interesa të klubit të madh grek, Panathinaikos. “Panorama Sport” zbulon se gjatë ditëve të fundit ish-drejtori i klubit gjirokastrit, Vangjel Çavo, i cili edhe pas shkarkimit nga ky post vazhdon të qëndrojë afër presidentit Grigor Tavo, ka urdhëruar ekipet U-13 dhe U-15 të akademisë të vishen me fanellat e Panathinaikosit. 

Zyrtarisht, nga klubi bluzi nuk është njoftuar për ndonjë bashkëpunim mes klubeve për akademinë, por edhe sikur të jetë kështu, përbën një skandal më vete urdhri që u jepet fëmijëve për të hequr fanellën e Luftëtarit dhe pozuar me atë të klubit grek. Pjesë e këtij skandali janë bërë edhe vetë trajnerët që stërvitin këto grupmosha: Besmir Sinani dhe Gazmend Bimi, të dy ish-futbollistë të Luftëtarit deri pak vite më parë.

Panoramasport ka siguruar një foto të ekipeve U-13 dhe U-15 të Luftëtarit, që pozojnë nga kompleksi stërvitor “Lefter Millo” në fshatin Dervician të bashkisë Dropull. Krahas lojtarëve të vegjël, në foto duken qartë edhe ish-drejtori i Luftëtarit, Vangjel Çavo, si dhe trajnerët Sinani dhe Bimi. Kjo foto është bërë në një vend që përfaqëson minoritetin grek në Gjirokastër. Por, habia më e madhe qëndron në faktin se si mund të përdoren fëmijët e vegjël dhe trajnerët e tyre, për të cilët prindërit çdo muaj paguajnë për t’u stërvitur në logon e Luftëtarit, por papritmas dalin në foto si të ishin të akademisë së Panathinaikosit.

DYSHIMET – Vangjel Çavo është një bashkëpunëtor i FSHF-së prej vitesh, duke përfaqësuar zyrën e talenteve në Greqi. Por, në dy vitet e fundit ai është afruar te Luftëtari, duke pasur një ndikim të madh në merkaton që ka bërë klubi gjirokastrit. Gjithnjë ka qenë i kontestuari i tifozërisë, enkas për atë që ka ndodhur me lëvizjet në merkato, por edhe për ndryshimet e trajnerëve, veçanërisht pas largimit të Hasan Likës.

Nisur nga lidhjet që Çavo ka në Greqi, nuk përjashtohet mundësia që ai të ketë përdorur akademinë e Luftëtarit për interesa personale, duke i bërë kështu një nder klubit të Panathinaikosit. Në Gjirokastër shpesh klubet matanë kufirit janë interesuar për ekipet private të moshave në qytetin jugor, por tashmë kjo ndodh me ata që përfaqësojnë zyrtarisht Luftëtarin. Ngjarja e fundit konfirmon edhe një herë se problematikat që ka shfaqur klubi këtë sezon reflektojnë edhe në një menaxhim skandaloz që po i bëhet akademisë bluzi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat