Solskjaer zbulon një nga telefonatat e para pas nënshkrimit të kontratës

Futboll

Solskjaer zbulon një nga telefonatat e para pas nënshkrimit të kontratës

Më: 29 mars 2019 Në ora: 17:41
Ole Gunnar Solskjaer

Ole Gunnar Solskjaer është konfirmuar në drejtim të Manchester Unitedit për tri vitet e ardhshme. Norvegjezi e ka fituar këtë shpërblim falë rezultateve të arritura në fushë, por edhe mbështetja e një legjende si Alex Ferguson ka qenë një ndihmë e madhe.

Në konferencën e tij të parë për shtyp pas nënshkrimit të kontratës 3-vjeçare me “Djajtë e Kuq, Solskjaer ka thënë se ka vetëm një objektiv në mendjen e tij, atë që ta transformojë Unitedin në një klub kampionësh.

Trajneri norvegjez ka zbuluar edhe se cila ka qenë një nga telefonatat e para që ka bërë për të festuar kontratën e re, nga e cila do të përfitojë 8 milionë euro në vit: “Kam folur me Sir Alex Ferguson. Nuk do të them se për çfarë kemi folur, por është një nga telefonatat e para që bën në një rast të tillë”, ka treguar Solskjaer.

Ish-sulmuesi nuk e ka fshehur lumturinë e tij: “Kur njerëzit gjejnë një punë të re, shpesh thonë se është ajo e ëndrrave të tyre. Kjo gjë vlen për mua tani më shumë se për çdo njeri tjetër. Kam shpresuar gjithmonë që të vinte një ditë si kjo. Kam një përgjegjësi të madhe dhe fantastike kundrejt një skuadre që është familja ime. Jam i nderuar dhe i privilegjuar”.

Në lidhje me objektivat, ai është shprehur: “Duam të kthehemi të fitojmë në Premier League, por kjo gjë nuk do të ndodhë brenda natës. Duhet t’i hedhim hapat një nga një. Pres me padurim që lojtarët e mi të provojnë ndjesitë që vetëm një fitore mund t’i japë”.

Solskjaer ëndërron të lë një kujtim të mirë për veten në ditën kur do të largohet nga klubi. “Shpresoj të largohem me një buzëqeshje pasi t’i kem dhuruar shumë gëzime stafit, lojtarëve dhe tifozëve. Kjo është ajo që mund të premtoj tani. Do të jem gjithmonë vetvetja, një djalosh optimist dhe pozitiv”, ka thënë Solskjaer.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat