Partizani i merr barazimin Kukësit

Futboll

Partizani i merr barazimin Kukësit

Më: 29 mars 2019 Në ora: 22:56
Partizani dhe Kukësi

Ndeshja më e rëndësishme e javës së 26 ajo mes Kukësit dhe Partizanit përfundoi në barazim 1 – 1. Në rezultat që vlen më shumë për ekipin e Skënder Gegës, pasi diferenca me një rival direkt për titullin mbetet 9 pikë. Një ndeshje me ritëm që nuk solli gola në pjesën e parë, ku të dyja ekipet u treguan të kujdesshme për të mos rrezikuar shumë në prapavijë.

Pas pushimit përfshirja e Reginaldo në lojë bëri që Kukësi të ishte më i rrezikshëm. Sulmuesi nga Mozambiku realizoi me goditje dënimi në të 55’, duke kaluar në avantazh kuksianët. Goli i pësuar nuk i demoralizoi futbollistët e Partizanit. Të kuqtë fituan një penallti në mesin e pjesës së dytë, pas një ndërhyrje fatale të Cuculit në zonë. Asani nuk gaboi në goditjen e tij, duke barazuar shifrat.

Përpjekjet e verilindorëve deri në sekondat e fundit të shtesës nuk dhanë rezultat. Kur kanë mbetur edhe 10 javë deri në fund të kampionatit Partizani duket shumë më afër titullit, ndonëse matematika mban ende në lojë verilindorët.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat