Kosova me një stadium me kapacitet prej 30 mijë ulëse

Futboll

Kosova me një stadium me kapacitet prej 30 mijë ulëse

Më: 30 mars 2019 Në ora: 17:00
Kosova me një kapacitet prej 30 mijë ulëse, flet ministri kur do të nisë

Kosova shumë shpejt do të bëhet me stadium kombëtar të futbollit i cili do të ndërtohet në Korroticë të Drenasit.

Tashmë është bërë një kohë e gjatë që është planifikuar ndërtimi i këtij stadiumi, mirëpo duket se pritjes së shumë sportdashësve po i vije fundi, pasi në muajt qershor-korrik, pritet të vendoset gurthemeli për ndërtimin e këtij stadiumi.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe ministri për Kulturë, Rini dhe Sport, Kujtim Gashi, i cili gjatë ceremonisë së përurimit të stadiumit në Viti, tha se kjo gjë do të ndodhë shumë shpejtë, pasi që në Kosova ka kërkesa për një stadium të tillë, me një kapacitet prej 30 mijë ulëse.

“Gjatë muajit qershor-korrik, Kosova do ta vendosë edhe gurthemelin për ndërtimin e stadiumit kombëtar, i cili do t’i ketë 30 mijë ulëse, sepse siç po e shihni edhe në ndeshjen e fundit që e kishim me Danimarkën dhe me Bullgarinë, shumë sportdashës janë të interesuar që ndeshjet t’i shohin në stadium, por kapacitetet janë të vogla, prandaj jemi duke bërë një punë të madhe që t’i mundësojmë edhe qytetarëve, si dhe sportdashësve t’i përjetojnë rezultatet, suksesin dhe kënaqësinë brenda stadiumit”, tha Gashi.

Kohë më parë, ministri Gashi ka deklaruar për media se në bazë të hartimit të projektit, kompania e cila do të fitojë të drejtën për ndërtimin e këtij stadiumi sipas të gjitha gjasave pritet të jetë ndërkombëtare.

Ky stadium pritet të kushtojë në një shumë të majme për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, shumë e cila pritet të jetë diku rreth 40 deri në 50 milionë euro.

Kujtojmë që ndërtimi i këtij stadiumi, pritet të marrë kohë deri në 3 vite.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat