Tota: Të kemi një ligë të përbashkët Kosovë-Shqipëri 

Futboll

Tota: Të kemi një ligë të përbashkët Kosovë-Shqipëri 

Nga: Kemajl Goca Më: 2 prill 2019 Në ora: 11:32
Tota: Të kemi një ligë të përbashkët Kosovë-Shqipëri 

Futbolli shqiptar në konkurrencën e femrave, gradualisht po shënon rritje në cilësi. Në vitet e fundit vërehet një rritje e cilësisë, po ashtu edhe një rivalitet më i madh mes skuadrave. Përveç kësaj, ka edhe shumë emra që po shquhen në fushën e blertë, ndër to është edhe futbollistja Rabie Tota.

Image

Vajza nga Tirana nuk është emër i panjohur për futbollin e Kosovës, pasi që një kohë me shumë sukses luajti për Hajvalinë, mbase edhe në garat kualifikuese në Champions League. 24-vjeçarja luan për ekipin e Tirana AS dhe po tregojnë lojëra të mira në Kampionatin Shqiptar. Mbrojtësja-mesfushore ka dashuri edhe për futbollin e Kosovës dhe si propozim i saj është që një ditë të formohet edhe liga e përbashkët Shqipëri-Kosovë, që do ta rriste gjithnjë e më shumë jo vetëm nivelin por edhe shikueshmërinë. Tota mendon se ka talente të shumta posaçërisht në Kosovë.

Image

Jo vetëm si futbolliste, ajo punon edhe si trajnere dhe jep kontributin e saj, po ashtu ka edhe një biznes familjar që e udhëheqin me shumë sukses. Qëllimi i saj është që të jap maksimumin në fanellën e Tirana AS por s’e përjashton mundësinë që një ditë t’i rikthehet edhe Kosovës, për faktin se ka dashuri të veçantë për të. Ajo flet se, a paguhet më shumë në Shqipëri a në Kosovë, për infrastrukturën sportive po ashtu edhe për synimet e saja, dhe kë e ka idhull nga futbollistët e futbollistet, si dhe a ka të dashur.
   
“Bota sot”: Tash e një kohë u larguat nga Kosova, ku gjendet Rabia?
Rabie Tota:
Për momentin në Tiranë, në shtëpinë time të parë por të ardhmes nuk i dihet.

“Bota sot”: Si lojtare te Tirana, si e sheh futbollin shqiptar dhe jeni e angazhuar edhe si trajnere?
Rabie Tota:
Aktualisht vazhdoj të angazhohem si futbolliste pranë klubit më të vjetër të Shqipërisë, për sa i përket futbollit të femrave në Shqipëri. U riktheva në klubin ku u formova si futbolliste. Për momentin jemi në vend të dytë. Jemi një grup shumë i mirë lojtaresh dhe do të bëjmë maksimumin deri në fund të sezonit. Dhe për fat të mirë futbolli në Shqipëri ka filluar të masivizohet me shumë. Kjo është një shenjë shumë e mirë për ato vajza që duan të vazhdojnë ëndrrën e tyre për t’u bërë futbolliste.  Gjithashtu prej afro një viti jam licencuar me UEFA B, e për momentin po ndihmoj një koleg timin për të ushtruar ekipet U15 dhe U13.  Është një ndjesi shumë e veçantë të mësosh brezin e ardhshëm, ku duhet një seriozitet dhe një përgjegjshmëri shumë e madhe. 

Image

“Bota sot”:  A ka dallime mes futbollit të Kosovës dhe atij të Shqipërisë?
Rabie Tota:
Mund të them se në Kosovë ka më shumë talente, punohet mirë, edhe në Shqipëri gjithashtu por infrastruktura e stadiumeve është më e mirë në Shqipëri dhe futbolli i femrave ka filluar të masivizohet si këtu ashtu edhe në Kosovë. Uroj në të ardhmen të kemi një ligë të përbashkët si për femrat ashtu edhe meshkujt. Do të ishte një imazh shumë i mirë për të gjithë shqiptarët. 

Image

“Bota sot”: Ku paguhet më shumë në Kosovë apo në Shqipëri?
Rabie Tota:
Futbolli i femrave ka nevojë për shumë mbështetje si në Kosovë ashtu edhe këtu në Shqipëri. Mund të them që vetëm disa nga ekipet kryesore të kampionatit tek të dyja shtetet paguajnë me rrogë mujore. Dhe kjo uroj të ndryshojë sa më shpejt, që të ketë sa më shumë përkrahje për ne futbollistet femra.

Image

“Bota sot”: A do të kthehesh si lojtare në Kosovë?
Rabie Tota:
Te ardhmes në futboll nuk i dihet, ndaj dhe nuk dua të them që nuk do të kthehem. Kam jetuar tek ju, në Kosovë 1 vit e gjysmë dhe ka qenë një eksperiencë vërtet e bukur. Ndoshta edhe mund të kthehem në qoftë se kam ndonjë ofertë të mire, pse jo, Kosova është si një shtëpi e dytë për mua. Atje kam lënë miq të mirë dhe respekt. Por ndoshta mund të kthehem edhe si trajnere atje. Të shohim.

“Bota sot”: Cilat skuadra janë rivale te Tiranës dhe çfarë synoni?
Rabie Tota:
Më shumë mundësi edhe sivjet skuadra e Vllaznisë mund të shpallet kampion. Pasi në ndeshjen e parafundit të fazës së parë të kampionatit humbëm si shkak i shumë dëmtimeve në skuadër, pasi kishim 2 ndeshje radhazi që luanim disa lojtare të dëmtuara. Edhe në ndeshjen direkte me Vllazninë e humbëm. Dhe duke ditur që për disa vite Vllaznia është ekipi që ka dalë gjithmonë kampione e Shqipërisë, këtë vit vendi i dytë është përsëri i yni pasi tashmë matematikisht nuk ka më kohë për të rikuperuar pikët e humbura në fazën e parë, fatkeqësisht.
“Bota sot”: A mund të jetohet vetëm nga futbolli apo merreni edhe me ndonjë profesion tjetër?
Rabie Tota: Akoma nuk e kemi arritur stadin që futbolli shqiptar të paguhet si në disa vende të Europës dhe të mund të jetojmë prej tij, ka akoma shumë punë përpara për t’u bërë. Për mua futbolli është thjesht pasion dhe ëndrra e fëmijërisë, në qoftë se do ta kisha vetëm profesionin e futbollistes sigurt që do të punoja akoma më fort për të arritur shumë më lart.  Unë kam mbaruar Fakultetin dhe Masterin për Inxhinieri Mjedisi. Aktualisht me familjen time kemi hapur një zyrë projektesh dhe një pjesë të ditës angazhohem atje.
“Bota sot”: Sa përkrahet klubi nga bashkia e Tiranës apo në përgjithësi futbolli shqiptar nga shteti?
Rabie Tota:
Tirana AS nuk është klubi i Bashkisë, është klub privat që mbahet vetëm nga presidenti. Shteti dhe federata vitet e fundit po bëjnë një punë të madhe për infrastrukturën e futbollit shqiptar, ku akademitë e futbollit do ta kenë më të lehtë punën e tyre. Uroj që kjo punë të vazhdojë e të zbulohen sa më shumë talente për të ardhmen e Kombëtares Shqiptare.
“Bota sot”: Kush është lojtari i preferuar i juaj?
Rabie Tota:
Një ndër lojtaret e mi më të preferuar është padyshim Fernando Torres, është shkaku i tij që për disa vite kam mbajtur numrin 9 në fanellë. Por gjithashtu edhe Cristiano Ronaldo është një ndër lojtaret më të mirë të botës, ku fale punës dhe vullnetit ka arritur këtu ku është sot. Nga femrat do të veçoja Tobin Heth dhe Alex Morgan.
“Bota sot”: A ngisni makinë, a keni të dashur?
Rabie Tota:
Po, sigurisht, e disponoj lejen e drejtimit. Në qoftë se do të ketë ndonjë të re nga jeta personale sigurisht që do ta merrni vesh ju të paret, pasi ju dhe gazeta juaj jeni ndër më profesionistët në Kosovë dhe jo vetëm. Gjithmonë kënaqësi të intervistohesh nga “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat