Dashamirët e futbollit me emocione e presin javën e 25-të të Kampionatit të Kosovës. Dy ndeshje që priten me emocione të mëdha, janë ajo në mes Drenicës nga Skenderaj dhe Gjilanit, si dhe Trepçës ’89 nga Mitrovica e Flamurtarit të Prishtinës, skuadra që luftojnë që të ikin sa më larg zonës së barazhit. Drenica beson në përparësinë e fushës, kurse Gjilani në cilësi, ndërsa Trepça ’89 mobilizohet vetëm për fitore në “Riza Lushta” karshi Flamurtarit të papërshtatshëm!
Mesfushor anësori i Drenicës, Kreshnik Uka, tha se janë të përgatitur në çdo aspekt dhe me padurim presin përballjen ndaj Gjilanit, e cila luhet nesër në orën 14.00 në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj. Kreshnik, kundër Gjilanit, një derbi i skuadrave që synojnë mesin e tabelës, çfarë synoni? “E vërtet, është një derbi mjaft i rëndësishëm për ne, një lojë që do të hyjmë për fitore dhe në rast se e arrijmë, do të na jep qetësi në vazhdim të këtyre ndeshjeve që kanë mbetur dhe për t’i ikur zonës së barazhit”, tha Uka për gazetën kombëtare “Bota sot”. Drenica dhe Gjilani ndajnë vendin e pestë dhe të gjashtë me nga 33 pikë.
Uka tregon edhe përparësitë e skuadrës së tij: “Besoj se jemi ekip më me përvojë dhe si vendas natyrisht nuk kërkojmë rezultat tjetër përpos fitores”. Fitorja ndaj Gjilanit, a do të jetë edhe një qetësi për ekipin në vazhdim të kampionatit? “Po, sigurisht me fitore ndaj Gjilanit do të jemi me të qetë dhe me të sigurt”, tha Uka.