Shkëndija do tri pikë në Strumicë

Futboll

Shkëndija do tri pikë në Strumicë

Më: 3 prill 2019 Në ora: 11:54
Shkëndija do tri pikë në Strumicë

Shkëndija nga Tetova sot në Strumicë përballen me Akademia Pandevin në duelin e xhiros së 26-të në LPFM.

Përballjet ndërmjet liderit të renditjes dhe skuadrës së vendit të tretë zakonisht paraqesin duel dhe luftë për titullin e kampionit, mirëpo Shkëndija falë distancës prej 11-të pikëve përballjen me Akademia Pandevin e pret pa ndonjë ngarkesë shtesë.

Natyrisht, kuqezinjtë në Strumicë kërkojnë tre pikë dhe vazhdim të serisë pozitive në rrugëtimin drejt titullit të kampionit. Pas pauzës kampionale skuadra performon në nivelin e pritur, duke mundur me shifra bindëse dy duelet e fundit në kampionat dhe tashmë kërkohet vazhdimësi edhe në transfertën me Akademia Pandevin. Rivali nga Strumica është skuadra e vetme të cilën Shkëndija nuk e ka mundur në këtë kampanjë dhe ekipi duket i determinuar të kërkojë pikë maksimale në duelin që do të luhet në një terren të njohur për kuqezinjtë, pasi pikërisht në stadiumin “Mlladost” luajtëm tre ndeshje si vendas në eliminatoret e UEFA Europa League verën e vitit 2017.

Kuqezinjtë pas seancës së sotme stërvitore udhëtuan drejt Strumicës ku me qetësi presin ndeshjen e nesërme. Visar Musliu kthehet në formacion pasi ndeshjen me Pobedën e ndoqi nga tribuna shkaku i pezullimit me pesë kartona të verdhë. Futbollistët tjerë janë të gatshëm, nuk kemi pezullime apo lojtarë të lënduar në përjashtim të Besart Ibraimit që vazhdon rehabilitimin pas operimit të ligamenteve.

Akademia Pandev zhvillon sezon shumë të mirë. Pas vitit të kaluar debutues, skuadra nga Strumica këtë vit duket e determinuar të sigurojë pjesëmarrje në eliminatoret e UEFA Europa League dhe për momentin mbajnë pozitën e tretë me vonesë prej tre pikëve nga vendi i dytë dhe një ndeshje më pak të zhvilluar. Në pak duele mes veti me Shkëndijën tradita flet për kuqezinjtë, por në anën tjetër pikërisht Akademia Pandevi është skuadra e vetme ndaj të cilëve nuk kemi fitore. Në vjeshtë në Turnovë barazonim pa gola, ndërsa në Tetovë fitonin strumicasit 1:0. Dueli i të mërkurës është mundësi për hakmarrje, për më shumë që tre pikët do të na çonin edhe një hap para drejt mbrojtjes së titullit.

Përballja Akademia Pandev-Shkëndija luhet të mërkurën në stadiumin “Mlladost” të Strumicës me fillim në orën 15:30.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat