Skelës i ofrohet pankina e ekipit të parë gjerman

Futboll

Skelës i ofrohet pankina e ekipit të parë gjerman

Më: 3 prill 2019 Në ora: 14:36
Skelës i ofrohet pankina e ekipit të parë gjerman

Ish-mesfushori i kombëtares shqiptare, Ervin Skela, mund të jetë trajneri i ri i skuadrës gjermane, Hessen Dreieich, që militon në ligën e katërt.

Lajmi bëhet i ditur nga op-online.de, teksa zbulohet se vlonjati është i preferuari i drejtuesve për të marrë drejtimin e skuadrës, që momentalisht gjendet në pozita tepër të vështira dhe rrezikon rënien nga kategoria.

Skela është aktualisht trajneri i ekipit U-17 të këtij klubi, i cili është filial i akademisë së Eintracht Frankfurtit dhe me shumë gjasa këtë fundjavë do të jetë ai që do të drejtojë skuadrën në përballjen ndaj Mainz 2.

Trajneri i mëparshëm dha dorëheqjen ditën e hënë, pas humbjes të thellë 5-0 në kampionat, teksa klubi është duke kërkuar një trajner të ri deri në fund të sezonit.

Një mundësi e artë për ish-mesfushorin e kombëtares kuqezi për të treguar vlerat si trajner në ligën e katërt gjermane, duke hedhur një hap të rëndësishëm në karrierën e tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat