Ç'po ndodh me De Gea? Manchester United merr përsipër rrezikun e madh...

Futboll

Ç'po ndodh me De Gea? Manchester United merr përsipër rrezikun e madh...

Më: 4 prill 2019 Në ora: 12:48
David De Gea

Manchester United ka vendosur të mos e shesë David De Gea këtë verë. Pavarësisht se portieri ka kontratë deri në qershor të vitit 2020 dhe ende nuk ka rinovim të marrëveshjes, klubi nga “Old Trafford” ka vendosur ta mbajë atë edhe një vit (aktivizohet klauzola ekzstuese në kontratën aktuale). Në këtë mënyrë, “Djajtë e Kuq” rrezikojnë ta humbasin me parametra zero spanjollin, nëse ky i fundit i qëndron bindjes për të mos rinovuar. Kështu shkruan sot “Mirror”. 

Kjo do të thotë se portieri, përfaqësuesit e tij dhe klubi, që janë takuar tashmë disa herë në 18 muajt e fundit, për të negociuar rinovimin e kontratës, nuk kanë arritur ende një marrëveshje. Problem mbeten veçanërisht pretendimet ekonomike të De Gea, edhe pse Manchester United thuhet se i ka ofruar deri në 350.000 stërlina në javë.

28 vjeçari mbërriti në “Old Trafford” në vitin 2011 nga Atletico Madrid, ku ra në sy, por me fanellën e “Djajve të Kuq” u bë një yll botëror, një prej portierëve më të mirë në glob. Pavarësisht disa zërave të viteve të kaluara, se De Gea mund të shkonte te Real Madridi, portieri spanjoll ka mbetur në Manchester. 

Deri tani nuk ka asnjë fakt se ai dëshiron të largohet, por përfundimi si lojtar i lirë, pas sezonit të ardhshëm, mund t’i sigurojë oferta tepër joshëse financiarisht. Përflitet se pas shumave të mëdha financiare, që e kanë vënë në dilemë zgjedhje De Gea-n, qëndron PSG, klubi francez në kërkim të një portieri të madh. 

Manchester United nuk është në vështirësi financiare, kështu që vlerëson se shitja e një ylli të tillë nuk është e nevojshme. De Gea mendohet të ketë vlerën e rreth 80 milionë eurove aktualisht, por mund të largohet nga klubi anglez falas, verën e vitit 2020. Ky është rreziku mjaft i madh, që po marrin përsipër drejtuesit e klubit nga "Old Trafford", sipas parimit: "O gjithçka, ose asgjë"...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat