Luhen sot dy takimet e fundit të javës së 25-të të IPKO Superligës së Kosovës, që sheh si protagonistë në fushën e blertë dy skuadrat rivale për titullin kampion, Feronikelin dhe Prishtinën.
Skuadra nga Drenasi, do të presë në stadiumin “Rexhep Rexhepi”, në orën 14:00, Ballkanin me synimin e vetëm fitoren, që do t’i jepte mundësi të paktën të ruante diferencën prej 3 pikësh me kryeqytetasit. Për formacionin që drejtohet nga Zekerija Ramadani do të konsiderohej dështim i madh edhe barazimi, aq më tepër që përballë do të ketë një kundërshtar relativisht modest, që lufton për mbijetesë. Feronikeli edhe në dy përplasjet e para sezonale me ekipin ga Theranda ka dalë i fituar me të njëjtin rezultat 1:0.