Akuza e ish-presidentit: Mourinho u favorizua nga arbitrat në 2004-ën

Futboll

Akuza e ish-presidentit: Mourinho u favorizua nga arbitrat në 2004-ën

Më: 6 prill 2019 Në ora: 00:54

Thonë se koha shëron çdo plagë, por ka nga ato që nuk shërohen kurrë. Pak a shumë kjo është ajo që i ka ndodhur ish-presidentit të Deportivo La Coruna-s, Augusto Cesar Lendoiro, me plagën e Champions League-ës në sezonin 2003/04. 

Pasi ka kaluar grupin dhe ka hequr qafe Juventus-in me Milan-in, spanjollët janë përballur me Porto-n e Jose Mourinho-s në gjysmëfinale. Në këtë ndeshje ka ndodhur diçka që ai nuk do ta harrojë kurrë. Një padrejtësi që presidenti e ka rrëfyer edhe 15 vite më pas në një intervistë të dhënë për emisionin "Idolos". Siç ndodh shpesh në këto raste, nën akuzë kanë përfunduar arbitrat. 

Pas atij sezoni, Deportivo nuk u kthye më në ato nivele dhe aktualisht ndodhet në vendin e pestë të Segunda Division. Ku i dihet si do të kishin shkuar gjërat nëse në 2004-ën Deportivo do të kishtearritur të paktën në finale. Lendorio ka folur për disa probleme serioze me arbitrimin. 

"Është e sigurt se vendimet e arbitrave kanë ndikuar: Deportivo nuk ishte një skuadër e madhe dhe atë vit Europiani do të luhej në Portugali. Ky fakt ka luajtur një rol të rëndësishëm", ka thënë ish-presidenti, i cili ka shpjeguar çështjen në detaje dhe ka folur për episode të veçanta, siç ishte kartoni i kuq i marrë nga Andrade për një faull ndaj Deco-s.  

"Ka qenë një arbitrim skandaloz, e dinim se çfarë donin dhe ishin kundër nesh. Lojtarët e Porto-s na kanë masakruar, por nuk kanë marrë asnjë karton të verdhë. Ishte momenti i Mourinho-s dhe Porto kishte një skuadër të ashpër. Nuk ishte një ekip i madh, por i fortë fizikisht. Përballja e dyfishtë u ndikua nga karton i kuq i marrë  nga Jorge Andrade për një goditje ndaj Deco-s". 

Ky episod ka krijuar shumë polemika në atë kohë. Dy portugezët, shokë skuadre në kombëtare, janë përplasur dhe Andrade ka goditur me shaka yllin e bardhebluve, por arbitri e ka ndëshkuar me të kuq. Një skenë e paharrueshme. 

"Arbitri e shpiku të kuqin, ka qenë një skenë absurde, sepse dy lojtarët ishin miq. Andrade nuk ka mundur të luajë në ndeshjen e kthimit dhe të gjithë e dimë se si kanë shkuar gjërat". 

Si kanë shkuar? Mourinho ka ngritur në qiell Champions-in dhe është bërë i famshëm në të gjithë botën, ndërsa Deportivo ka nisur një rënie që e ka larguar nga futbolli i rëndësishëm.  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat