Valon Hamdiu konfirmon: Kam vendosur të luaj për Kosovën

Futboll

Valon Hamdiu konfirmon: Kam vendosur të luaj për Kosovën

Më: 7 prill 2019 Në ora: 13:39
Valon Hamdiu konfirmon: Kam vendosur të luaj për Kosovën

Mbrojtësi i talentuar shqiptar, Valon Hamdiu, ka ndarë mendjen sa i përket asaj se për cilën Kombëtare do të luaj në të ardhmen. 
I kontaktuar nga gazeta Lajm e Maqedonisë, talenti shqiptar që luan me Winterthur në Ligën e dytë të Zvicrës, konfirmoi se ka vendosur të luajë për kombëtraren e Kosovës, ndonëse ishte i ftuar edhe nga trajneri i Shqipërisë U21, Alban Bushi, i cili e ka vëzhguar prej disa kohësh.  “Kam zgjedh përfaqësuesen e Kosovës, edhe pse kisha mundësi të luaj për Shqipërinë ose Maqedoninë. Kosova nga dita e parë kishte shprehur interesim për mua dhe më ftoi. Në grumbullimin e fundit më pëlqeu shumë ambienti si në mesin e futbollistëve, gjithashtu edhe në stafin teknik”, deklaroi Hamdiu.
Në vijim, ai rrëfen edhe për jetën dhe karrierën e tij.
“Kam lindur në Zvicër me 10 qershor 1998. Jam me origjinë nga Opaja e Kumanovës, kurse gjyshërit e mi janë nga Gjilani i Kosovës. Me futboll nisa të merrem që në moshën 6 vjecare te FC Wil. Te ky klub kam luajtur deri në U15, kurse nga U16 deri U21 luajta për St. Gallen. Prej U21 u ktheva në ekipin e parë të FC Wil në ligën e dytë të Zvicrës. Për shkak të mosmarrëveshjeve me trajnerin u largova nga Wil dhe kalova te Winterthur”, tregon Hamdiu, i cili me shumë sukses luan edhe në pozitën e qendërmbrojtësit dhe mesfushorit defensivë.
Hamdiu ka folur edhe për shanset e Winterthur për të hyrë në elitën e futbollit të Zvicrës. 
“Edhe pse në ndeshjen e fundit barazuam 0:0 në shtëpi me Kriens jemi në garë për vendin e dytë që siguron kualifikim direkt në Superligë e Zvicrës. Jemi në vendin e katër me katër pikë më pak se Lozana e vendit të dytë dhe një pikë më pak se Aarau në vendin e tretë. Na presin ndeshje të vështira me këto dy skuadra si mysafire, por nëse i fitojmë, atëherë jemi në rrugë të mbarë për bërë histori me skuadrën tonë. Beteja do të vazhdojë deri në xhiron e fundit”, theksoi Hamdiu.
Është interesante se në ekipin e Winterthur dominojnë lojtarët shqiptarë. 
“Po, jemi tetë shqiptarë në ekip. Unë, Taulant Seferi, Rijad Saliji jemi me prejardhje nga Maqedonia, Liridon Mulaj, Enis Abedini, Denis Markaj, Grand Lekaj janë me origjinë nga Kosova, kurse portieri Andre Hoxha është nga Durrësi i Shqipërisë. Dhe, komunikojmë shumë në gjuhën shqipe. Kalojmë shumë mirë mes vete”, tregon Hamdiu. 
Ai ka komentuar edhe grupin në të cilën gjendet Kosova U21 për në eliminatorët e kampionatit të ardhshëm europian. 
“Jemi në grup të vështirë, ku na presin sfida të zorshme. Në qershor i kemi dy ndeshje: Me Andorrën (5 qershor) si mysafir dhe Turqinë (11 qershor) në Prishtinë, ndërsa me 9 shtator luajmë me Anglinë dhe me 15 tetor kundër Shqipërisë, të dyja si mysafirë”, tregon Hamdiu.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat