300 milionë euro për të bindur Pochetinon

Futboll

300 milionë euro për të bindur Pochetinon

Më: 9 prill 2019 Në ora: 13:38
Pochetino

Xhenaro Gatuzo pritet të largohet nga Milani me të përfunduar sezoni aktual. Vetë trajneri pati deklaruar se do të vendosë të ardhmen pasi të përfundojë kampionati, teksa drejtuesit, megjithëse konfirmojnë besimin ndaj 41-vjeçarit, vijojnë të monitorojnë profile të ndryshme për rolin e trajnerit në sezonin e ardhshëm.

Siç shpjegon në një shkrim të saj anglezja “The Mirror”, klubi italian po tenton ta transferojë Maurisio Poçetinon e Totenhemit, madje kuqezinjtë janë të gatshëm të paguajnë edhe klauzolën prej 40 milionë eurosh që lidh trajnerin argjentinas me klubin nga Londra veriore.

Sipas së njëjtës të përditshme, me anë të Ivan Gazidhist, Milani i ka premtuar Poçetinos 300 milionë euro investime vetëm në merkaton e verës, në mënyrë që ta bindin të marrë drejtimin e skuadrës që sot është në duart e Gatuzos. Është administratori i “Djallit” njeriu që po arkitekton të ardhmen e klubit dhe ekipit, të cilin kërkon t’ia besojë një trajneri me përvojë, por edhe që propozon lojë të bukur e sidomos më ofensive.

Në momentet më të këqija të Rinos, te kuqezinjtë gjithnjë kanë dalë emra kandidaturash për ta zëvendësuar. Kujtojmë se vetëm një javë më parë u përfolën Antonio Konte e Jurgen Klop, emra që sidoqoftë mund t’i rikthehen aktualitetit në fund të sezonit, e sidomos nëse Milani dështon të mbërrijë në katërshen e parë të Serisë A.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat