"Nuk do të ndalet!", Piatek synon rekordin absolut të "Fenomenit"

Futboll

"Nuk do të ndalet!", Piatek synon rekordin absolut të "Fenomenit"

Më: 10 prill 2019 Në ora: 07:14
Piatek

Dikur trajneri i Milanit, Gennaro Gattuso, e quajti "Robocop", edhe pse djaloshit të rritur mes kodrave dhe fushave të qytezës polake me 20 mijë banorë (Dzierżonióë) nuk i pëlqen të ndërrojë nofkën e tij të preferuar "Pistolero". I ftohtë, vrasës dhe me një detyrë të caktuar: të shënojë.

Pak rëndësi ka se cilën skuadër ka përballë, ai dëshiron të festojë, ta dërgojë topin në rrjetë dhe qëllojë me "pistoletën" e tij. Në Torino, përballë Juventusit, ishte goli i tij i 21-të në kampionat, por bardhezinjtë janë "viktima" e 14-të nga 19 skuadra në Serie A. Dhe jemi vetëm në sezonin e parë, si debutues, në Itali, për sulmuesin pa mbushur ende një vit, kaloi nga Cracovia te Genoa dhe, në janar, te Milani.

Me kuqezinjtë janë 8 gola të realizuar deri tani në kampionat, pra më shumë se sa gjithë sulmi kuqezi, ku përfshihen Suso, Cutrone dhe Borini, duke lënë jashtë Higuain. Pikërisht, që pas ardhjes së Piatek, "Pipita" është harruar dhe fshirë nga kujtesa.

Janë vetëm katër skuadra ndaj të cilave ende nuk ka shënuar në kampionat: Inter, Napoli, Fiorentina dhe Torino. Madje, duke përfshirë edhe Kupën e Italisë, edhe Napolit i ka shënuar. Ndaj, mbeten vetëm tre  skuadra, nëse merret përgjithësisht.

Mesatarja e tij e golave është e çmendur: 21 në kampionat, ndërsa edhe 8 në Kupën e Italisë. 29 gola në 34 ndeshje.

Kur u vesh kuqezi preferoi me modesti të mbante numrin "19", duke mos marrë të famshmen "9" të lënë të lirë nga Higuain, që ka sjellë jo pak ters. Por, sezonin tjetër, me siguri, do ta mbajë mbi shpinë atë numër.


"Eshtë duke ndjekur rekordin dhe nuk do të ndalojë!", u shpreh Gattuso. Por, për çfarë rekordi flitet? Për sulmues që kanë lënë gjurmë në sezonin e parë në Serie A. Po flasim për Vincenco Montella me 22 gola me Sampdorian, apo Shevchenko dhe Milito, të dy me nga 24 gola me fanellat e Milanit dhe Genoas.

Në shenjëstrën e Krisit, në fakt, nuk janë këta, por një emër mbi të gjithë: Ronaldo Luis Nazario da Lima, "Fenomeni". Braziliani ka shënuar 25 gola në sezonin e parë në Itali, me fanellën e Interit. 

Kanë mbetur edhe shtatë javë dhe, nëse polaku shënon 1 ndeshje po dhe 1 ndeshje jo, atëherë do të arrinte Shevën dhe Militon, ndaj i duhet një "sakrificë" më shumë për një tjetër gol, për të kapur, ose pse jo, kaluar "Fenomenin", duke vendosur rekord historik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat