Haxhihamza: Barrën e kemi të gjithë 

Futboll

Haxhihamza: Barrën e kemi të gjithë 

Nga: Kemajl Goca Më: 10 prill 2019 Në ora: 18:34
Kenan Haxhihamza

Gjilani është në mesin e tabelës në elitën e futbollit të Kosovës, por nuk e ka qetësinë për shkak se nuk ka më shumë se 6 pikë nga pozita që shpie në barazh në luftë për mbetje në ligë. Kenan Haxhihamza prej portierëve më të mirë në vendin tonë, beson e shpreson se me skuadrën e Gjilanit do të mbledhin sa më shumë pikë. Haxhihamza shprehet se punojmë me përkushtim dhe me mendje janë të ndeshja e radhës përkatësisht në stadiumin “Zahir Pajaziti” kundër Llapit nga Podujeva. Gjilanasit janë në vend të gjashtë me 35 pikë të mbledhura.   

“Bota sot”: Gjilani është në mesin e tabelës me 37 pikë, a mendoni se pak a shumë e ka hequr presionin nga skuadrat e rrezikuara?
Kenan Haxhihamza:
Sa i përket presionit nuk e kemi pas asnjëherë kur e dijmë se çfarë kualiteti kemi brenda ekipit, por jemi të përqendruar maksimalisht si në stërvitje po ashtu edhe në lojë, po punojmë fortë që të marrim sa më shumë pikë që të mundemi deri në fund pa e diskutuar mundësinë e barazhit.
“Bota sot”: A mendoni se Gjilani do ta ruajë vendin e gjashtë apo do të kërkojë dhe pozitën e pestë dhe ku e sheh forcën e saj?
Kenan Haxhihamza:
Tri ndeshjet e ardhshme janë kundër pretendetëve për titull, ku dihen vështirësitë që do të përballemi, pastaj kemi lojë direkte me ekipet që jemi afër me pikë, besoj që do të marrim më të mirën nga këto ndeshje. Shpresoj që të jemi sa më mirë në tabelë.
“Bota sot”: Pika e fituar kundër Dritës, a e ka vlerën e fitores apo keni pritur më shumë?
Kenan Haxhihamza:
Vlerë ka secila pikë që merr, sidomos në lojë të vështira, pastaj është e vërtet se kemi pritur për më shumë sepse derbin gjithë duan ta fitojnë, por rrjedha e lojës na bën që të kënaqemi të dy ekipet me nga një pikë.

“Bota sot”: Në fundjavë kundër Llapit në Podujevë, a shpresoni në rezultat të favorshëm, a do të jeni të kënaqur edhe me një pikë?
Kenan Haxhihamza:
Në fundjavë do të përballemi kundër një ekipi shumë të fortë dhe pretendent për titull, por pas tre barazimeve normal se do të mundohemi të marrim maksimumin e pikëve, normal që edhe barazimi me Llapin si mysafir nuk është keq.
“Bota sot”: Çfarë i duhet Gjilanit apo çfarë i mungon?
Kenan Haxhihamza:
Gjilanit i duhet kohë derisa të komponohet ekipi sepse problemi ndoshta kryesor ishte daljet dhe ardhjet e shumta të lojtarëve kohëve të fundit. Sa i përket gjërave tjera gjithçka po shkon në mënyrë profesionale duke filluar nga korrektësia e presidentit që e bën Gjilanin shembull për klubet tjera. 
“Bota sot”: A jeni në presion të javëve të fundit, sidomos ju si portier që keni barrën me të madhe?
Kenan Haxhihamza:
Barrën e kemi të gjithë si ekip, pastaj përgjegjësit dhe detyrat i kemi të gjithë çfarë na caktohet, kur kryhen detyrat dhe merren përgjegjësitë atëherë çdo gjë shkon në rregull dhe pa presion, kemi ndihmën e lojtarëve me përvojë dhe çdo gjë është në rregull të ajo pjesë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat