Pesë arsyet pse Liverpooli mund ta fitojë titullin e Championsit

Futboll

Pesë arsyet pse Liverpooli mund ta fitojë titullin e Championsit

Më: 11 prill 2019 Në ora: 13:08
Foto ilustrim

Dhjetë muaj pas disfatës në finale të Ligës së Kampionëve kundër Real Madridit, Liverpooli po konsiderohet ndër favoritët për ta fituar titullin e kësaj gare këtë sezon.

Skuadra e Jurgen Kloppit e bëri hapin e parë drejt kualifikimit në gjysmëfinalet e këtij sezoni të Ligës së Kampionëve, duke e mposhtur Porton me rezultat 2:0 në ndeshjen e parë çerekfinale, në Anfield.

“The Reds” e kanë një mundësi shumë të mirë për ta bërë këtë sezon atë që s’e arritën dot sezonin e kaluar në Kiev. Më poshtë mund t’i gjeni pesë arsyet për ta besuar një gjë të tillë, sipas të përditshmes spanjolle, Marca.

Treshja e sulmit në formë të mirë

Sezonin e kaluar, Mohamed Salahu, Sadio Mane dhe Roberto Firmino ishte treshja më produktive e sulmit në Evropë, me 30 gola të shënuara.

Këtë vit, lidhja mes tyre e ka arritur nivelin tjetër dhe ata po bashkëpunojnë edhe në fazat e mbrojtjes, duke bërë presion ndaj kundërshtarëve edhe në minutat e fundit të lojës.

Taktikat e Kloppit

Intensiteti dhe tempoja e lartë e lojës që e kërkon Jurgen Kloppi nga skuadra e tij, ia bën të vështirë punën kundërshtarëve, veçanërisht në ndeshjet që zhvillohen në Anfield.

Porto e përjetoi pikërisht këtë ndjenjë në ndeshjen e së martës, kur Liverpooli u tregua shumë i fortë për kundërshtarët.

Muri në mbrojtje

Transferimi i Alisson Beckerit e Virgil van Dijkut e kanë transformuar mbrojtjen e skuadrës.

Përmirësimi në fazën e mbrojtjes që këta dy lojtarë e kanë sjellë në Anfield u ka ndihmuar edhe anësorëve, Tren Alexander-Arnold dhe Andrew Robertsonit, të cilët i kanë bërë disa asiste këtë sezon.

Liverpooli i shkon rivalët drejt e në sy

Kundër Manchester Cityt e Romës sezonin e kaluar, ndërsa këtë sezon kundër Bayern Munichut, Liverpooli nuk janë fshehur aspak në ndeshjet kundër rivalëve të mëdhenj. Ata besojnë se  mund të fitojnë kundër kujtdo në Evropë.

Talent edhe në stol

Transferimet e verës së kaluar – Alisson, Xherdan Shaqiri, Fabinho dhe Naby Keita – i kanë dhënë Kloppit mundësinë që ta ndryshojë rrjedhën e lojës duke i përdorur talentet e skuadrës edhe nga banka rezervë.

Kloppi ka arritur ta kompletojë mozaikun dhe Liverpooli duket se e ka gjetur baraspeshën e përsosur në skuadrën e tyre. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat