Juve dhe pakti me Raiola për merkaton e ëndrrave

Futboll

Juve dhe pakti me Raiola për merkaton e ëndrrave

Më: 12 prill 2019 Në ora: 09:42
Mino Raiola

Njëri tërheq tjetrin. Përforcohet kështu marrëdhënia në merkato mes Mino Raiola dhe Juventus.

Bardhezinjtë, pasi kanë mirëpritur sot Wesley, brazilianin 19-vjeçar të mbërritur nga Flamengo, falë ndihmës së menaxherit, tashmë shpresojnë në kontributin e Raiolas edhe për tre transaksione të tjera.

Kështu, afrimi i brazilianit pritet të pasohet me rinovimin e kontratës së talentit shpërthyes të bardhezinjve, Moise Kean. Marrëveshja aktuale mes palëve skadon qershorin e vitit tjetër, por duket se është gati kontrata e re 5-vjeçare. 

Kontrata do të shoqërohet me shpërblim të pesëfishuar në adresë të sulmuesit, që aktualisht përfiton shumën modeste prej 550 mijë euro në sezon. 

Nuk përfundon këtu, sepse drejtuesit bardhezinj, sikurse raporton “Calciomercato.com”, janë të interesuar edhe për dy futbollsitë të tjerë të përfaqësuar pikërisht nga i njëjti menaxher.

Bëhet fjalë për francezin e Manchester United, Paul Pogba, dhe holandezin e Ajax, Matthijs de Ligt. Mesfushori francez do të rikthehej me dëshirë në Torino, sikurse dhe Juventus nga ana e saj do ta mirëpriste me krahët hapur. 

Gjithsesi, më parë duhen bërë llogaritë me “Djajt e Kuq” dhe Real Madrid-in, që e konsideron si një dhuratë për Zinedine Zidane. Kontrata e Pogba skadon në qershor të vitit 2021, sikurse ajo e De Ligt.

Në garën për mbrojtësin holandez duhet mposhtur konkurrenca e Barcelona-s që ndodhet në marrëdhënie shumë të mira me Ajax-in, siç dëshmoi edhe operacioni De Jong, i finalizuar që në merkaton e janarit. 

Kampionët e Italisë shpresojnë të përdorin si levë pikërisht Raiolën, që ka prishur marrëdhëniet e tij me klubin katalanas që nga koha e Zlatan Ibrahimovic, i mbërritur tek Inter në vitin 2009 dhe i transferuar më pas te Milan një vit më vonë. 

Në një intervistë të ditëve të fundit, vetë De Ligt deklaroi: “Unë përqendrohem vetëm te fusha. Për të ardhmen time mendon Raiola”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat