Kloppi nuk po rrezikon të luajë me Shaqirin! Ja arsyeja

Futboll

Kloppi nuk po rrezikon të luajë me Shaqirin! Ja arsyeja

Më: 12 prill 2019 Në ora: 13:16
Kloppi

Faqja e tifozëve të Liverpoolit, Liverpool Echo, e ka publikuar një artikull për mungesën e Xherdan Shaqirit në ndeshjet e muajve të fundit të Liverpoolit, duke pretenduar se arsyeja pse 27-vjeçari nuk po luan është për shkak të mungesës së angazhimit të tij në fazën e mbrojtjes. 
Marshi i Liverpoolit drejt titullit të Premierligës po vazhdon – pa Xherdan Shaqirin. Futbollisti i kombëtares së Zvicrës me prejardhje nga Kosova, u konsiderua si një nga transferet më të mira të këtij sezoni për shkak të ndikimit që e pati në pjesën e parë të sezonit, me golat dhe asistimet e tij.
Shaqiri i shënoi gjashtë gola në fillim të sezonit, pas transferimit nga Stoke City. Pika më e ndritshme në paraqitjet e tij për klubin nga Anfield Road ishte në ndeshjen kundër rivalit të vjetër, Manchester Unitedit, kundër të cilëve i shënoi dy golat e fitores.
Edhe pas kësaj ndeshjeje, Shaqiri shënoi sërish në ndeshjen kundër Newcastles. Ndikimi që 27-vjeçari e kishte në skuadrën e Jurgen Kloppit ishte i pamohueshëm, pasi që arriti të ndërhyjë në dinamikën e treshes së famshme të sulmit të Liverpoolit.
Aftësia e tij në fazën e sulmit bëri që trajneri Jurgen Klopp ta ndryshojë formacionin nga 4-3-3 në 4-2-3-1, në mënyrë që të kishte vend në formacion të parë për Shaqirin, përkrah Mohamed Salahut, Roberto Firminon e Sadio Manen.
Megjithatë, që nga atëherë, Shaqiri duket se është zhdukur në skuadrën e Liverpoolit. 
Ai nuk e ka shënuar asnjë gol dhe nuk e ka bërë asnjë asist që nga përballja me Newcastlen. Ai nuk ka luajtur asnjë minutë në tetë ndeshjet e fundit për klubin anglez.
Për shkak që gjatë kohës së fundit Liverpooli e ka humbur epërsinë prej shtatë pikëve ndaj Manchester Cityt në tabelën e Premierligës, Kloppi nuk po rrezikon të luajë me Shaqirin pasi që pastaj skuadra mbetet më e dobët në fazën e mbrojtjes.
Liverpooli e ka një pikë dhe një ndeshje më shumë se Manchester City dhe Kloppi dëshiron të sigurohet se skuadra e tij është e baraspeshuar në këto ndeshje të mbetura, as të mos jetë shumë e përqendruar në sulm e as në mbrojtje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat