Opsioni Shaqiri është shumë i rrezikshëm

Futboll

Opsioni Shaqiri është shumë i rrezikshëm

Më: 12 prill 2019 Në ora: 14:12
Shaqiri

Gazeta sportive zvicerane, Bluewin, e ka publikuar një artikull të veçantë për mungesën e Xherdan Shaqirit në ndeshjet e fundit të Liverpoolit, me titullin: “Rasti i Shaqirit, Kloppi i ka katër lojtarë të preferuara, pjesa tjetër ka të bëjë me taktikat”.

“Liverpooli fiton pa Xherdan Shaqirin” shkruhet në lajmet për ndeshjen e klubit anglez, javë pas jave. Por, ku qëndron zvicerani në hierarkinë e Liverpooli për këtë sezon?

Analizat e ndeshjeve dëshmojnë se në sistemin 4-3-3 të trajnerit Jurgen Klopp, katër nga gjashtë pozitat e fazës së sulmit janë të rezervuara. Askush s’mund të ndërhyjë në treshen Mohamed Salah-Roberto Firmino-Sadio Mane, nëse këta s’janë të lënduar. Edhe Georginio Wijnaldum e ka pozitën e rezervuar në mesfushorë, shkruan Bluewin.

Daniel Sturridge dhe Divock Origi janë vetëm dy opsione për dy pozitat e mbetur në këtë gjashtëshe. Ata, së bashku, i kanë luajtur vetëm shtatë ndeshje si titullar në Premierligë dhe në Ligë të Kampionëve.

As Xherdan Shaqiri nuk pozicionohet shumë më mirë sesa këta të dy në skuadrën e Kloppit. Kur ai është në fushë, skuadra e Liverpoolit nuk është e baraspeshuar pasi që ai parapëlqen të përfshihet vetëm në sulm.

Për këtë arsye, opsioni Shaqiri është shumë i rrezikshëm në këtë fazë të Premierligës, kur gara për titull me Manchester Cityn është tejet e zjarrtë.

Shaqiri mund të jetë opsioni i duhur për inkuadrim nga stoli kur Liverpoolit i nevojitet një gol, mirëpo në rastet kur skuadra e ka detyrë ta menaxhojë ndonjë rezultat, përfaqësuesi zviceran është personi i gabuar.

Kjo pasi që angazhimi në fazën e mbrojtjes nuk është pika më e fortë e Shaqirit. Në listën prej 12 lojtarëve të Liverpoolit që kanë luajtur më së shumti minuta në këto pozita, Shaqiri pozicionohet në vendin e nëntë.

Mohamed Salah

Sadio Mane

Georginio Wijnaldum

Roberto Firmino

James Milner

Fabinho

Jordan Henderson

Naby Keita

Xherdan Shaqiri

Adam Lallana

Daniel Sturridge

Divock Orig

Xherdan Shaqiri nuk pritet të jetë titullar as në ndeshjen e kësaj fundjave të Liverpoolit, kundër Chelseat. Kjo mund të jetë ndeshja e nëntë radhazi e Liverpoolit në të cilën Shaqiri s’e luan asnjë minutë.

Chelsea dhe Liverpooli do të përballen të dielën në Anfield, në kuadër të Premierligës. Kjo ndeshje është e rëndësishme për të dy skuadrat, pasi që humbja do t’ia dëmtonte Liverpoolit shpresat për titull, ndërsa Chelseat shpresat për një vend në top katërshe.

Uebsajti ndërkombëtar i futbollit, Goal.com, e ka publikuar formacionin e mundshëm të Liverpoolit për këtë ndeshje dhe Xherdan Shaqiri nuk pritet të luajë as në këtë ndeshje, pasi që trajneri Jurgen Klopp po preferon të luajë me Naby Keitan, Fabinhon e Jordan Hendersonin në mesfushë, pas treshes Sadio Mane – Roberto Firmino- Mohamed Salah.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat