Trepça fiton pikë të mëdha në luftë për ekzistencë

Futboll

Trepça fiton pikë të mëdha në luftë për ekzistencë

Nga: K. G. Më: 12 prill 2019 Në ora: 17:29
Hoti

Skuadra e Trepçës ’89 nga Mitrovica shënoi fitore të madhe dhe që i shton shpresat për të ikur sa më larg zonës së barazhit. Mitrovicasit para shikuesve të vet e mposhtën me rezultat 2:1 Ballkanin nga Theranda, në ndeshjen e javës së 27-të të elitës së futbollit të Kosovës. Në një atmosferë të mirë në stadiumin “Riza Lushta”, në një kohë të freskë mitrovicasit arritën pikët domethënëse. Në minutën e 17-të, Trepça 89 ka kaluar në epërsi me një gol të bukur të shënuar nga Engjëll Hoti nga rreth 25 metra.  

Ai goditi aq bukur dhe plasoi topin në këndin e epërm të mysafirëve. Engjëll Hoti ka qenë në formë të mirë duke realizuar edhe golin e dytë të tij në minutën e 62-të dhe të epërsisë 2:0 në favor të skuadrës mitrovicase. Në minutën e fundit të sfidës Jetmir Topalli ngushton humbjen e Ballkanit.
Trepça ’89 renditet në vend të gjashtë me 35 pikë, ka tri më shumë se Ballkani në pozitën e 8-të. Në javën e 28-të, Trepça ’89 luan në Gjilan me Dritën dhe Ballkani në konak të Lirisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat