Pollozhani dhe Ribaj: Kapim Europën

Futboll

Pollozhani dhe Ribaj: Kapim Europën

Më: 13 prill 2019 Në ora: 16:28
Pollozhani dhe Ribaj: Kapim Europën

Rezultatet e ndeshjeve të fundit por edhe premtimi i presidentit Idrizi se të gjitha pagat e prapambetura do të kalojnë në llogaritë e futbollistëve gjatë këtyre ditëve madje me një bonus prej 10% më tepër për përkushtimin që lojtarët kanë treguar ndaj fanellës gjatë kësaj periudhe, ka rritur optimzmin te Flamurtari. Kuqezinjtë janë gati për sfidën ndaj Kukësi dhe në konferencën për shtyp përpara ndeshjes ashtu siç ka ndodhur për pjesën më të madhe të këtij sezoni nuk u shfaq trajneri Ilir Daja por dy lojtarë, kapiteni Artim Pollozhani dhe sulmuesi Andi Ribaj. I pari theksoi se ndaj Kukësit skuadra do të tentojë me çdo kusht të marrë pikë.

“Një ndeshje shumë e fortë dhe e vështirë. Tabela e klasifikimit e dikton këtë gjë, pasi Kukësi është në vend të dytë, ne në të tretin. Nuk është një sfidë vendimtare, por një rezultat pozitiv na ndihmon sepse na mban në atë pozicion që na çon në Kupat e Europës. Ne dhe Kukësi vijmë nga sfida që i kemi fituar dhe duhet të japim maksimumin për rezultat pozitiv”. 

Pollozhani foli edhe për gjëndjen e skuadrës dhe problemet që ka Flamurtari me dëmtimet.

“Gjendja e ekipit është e mirë. Kemi zhvilluar dy ndeshje të mira në Vlorë. Kemi patur dhe ne problemet tona gjatë 90-minutëshit, por janë gjëra që riparohen. E rëndësishme është që jemi në formë të mirë. Nuk besoj se do të ketë mungesa. Koliçi është në dyshim, por mendoj se do të luajë. Franc Veliu dhe unë kemi patur probleme, por shpresoj të jemi në 100 % të formës kur të zbresim në fushë”. 

Përsa i përket objektivit Europë, kapiteni qëndron me këmbë në tokë kur pyetet për këtë çështje.

“Europa? Ne jemi në pozicion që e arrijmë Europën. Kemi ndeshje të forta përpara, nuk duhet të mendojmë tani për tani për Europën, por në vazhdimësi. Do e provojmë dhe shpresojmë të kemi pak dhe fatin me vete që ta arrijmë”. 

Në të njëjtën linjë me Pollozhanin është dhe sulmuesi Andi Ribaj. Ky i fundit duket i rilindur te vlonjatët, pasi po arrin të dalë shpesh te goli në ndeshjet e fundit.

“Ndihem shumë mirë pas golit të shënuar. Falenderoj dhe ekipin që na nxjerr para portës për të shënuar, shpresoj që dhe në sfidat e radhës të shënoj sa më shumë për ekipin. Nuk ka rëndësi se kush e shënon golin, por të fitojë ekipi. Jemi në vend të tretë do të luftojmë që të shkojmë në Europë. Me Kukësin shpresojmë të marrim një rezultat pozitiv”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat