Ole Gunnar Solskjaer: Mjeshtri i së pamundurës

Futboll

Ole Gunnar Solskjaer: Mjeshtri i së pamundurës

Më: 16 prill 2019 Në ora: 14:03
Ole Gunnar Solskjaer

Në maj do të shënohet 20 vjetori i njërës prej finaleve më dramatike në histori të futbollit, që u zhvillua në Camp Nou. Bayern Munichu kishte qenë shumë afër për ta fituar titullin e Ligës së Kampionëve përmes golit të shënuar nga Mario Basler në minutën e pestë. Por, dy gola të vona nga Manchester Unitedi e sollën trofeun në “Old Trafford”.

Teddy Sheringham e barazoi rezultatin në minutën e 90-të të ndeshjes dhe vetëm 44 sekonda pasi kishte rinisur loja, tani trajneri i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer, i kishte çmendur tifozët anglezë duke e shënuar golin e fitores, shkruan Marca, transmeton Gazeta Express.

Në anën tjetër, lojtarët e Bayernit ishin shtrirë në fushë duke mos arritur ta besojnë atë që sapo kishte ndodhur. Shumë tifozë e mbajnë ende mend mënyrën se si Samuel Kuffour e kishte goditur me grushte fushën pas ndeshjes.

“99 herë nga 100, ajo goditje do të kishte përfunduar në duart e Oliver Kahnit ose në kokën e lojtarit që ishte vendosur te vija e portës”, u shpreh Solskjaer kur u pyet për atë gol.

Ish-sulmuesi norvegjez e kujton atë moment si më të mirin në karrierën e vet dhe e mban mend që nuk kishte shkuar as ta përqafonte Sheringhamin, kur ai e kishte shënuar golin e barazimit.

“Unë shkova drejt e te vija e mesit sepse isha i përqendruar që të mos luajmë edhe 30 minuta të tjera në finale të Ligës së Kampionëve”, shtoi ai.

Solskjaer nuk kishte qenë i vetmi lojtar që e kishte pasur mendjen te pjesa shtesë, pasi që lojtarët që nuk kishin qenë pjesë e skuadrës për atë ndeshje, kishin shkuar në zhveshtore në minutat e 90-ta, kur Bayerni ishte ende duke fituar.

Ata i kishin dëgjuar festimet e tifozëve për golin e Sheringhamit dhe vendosën që të kthehen në pozitën ku kishin qenë më parë, pasi që besonin se ndeshja do të vendosej në pjesën shtesë. Por, derisa ata po ngjiteshin shkallëve të Camp Nou, ata e dëgjuan zhurmën e tifozëve që e festonin golin e dytë. Ata s’mund ta besonin çfarë kishte ndodhur.

Sonte, Solskjaer do të kthehet në Camp Nou, në skenën ku u bë i pavdekshëm në zemrat e tifozëve të “Djajve të kuq”. Kjo do të jetë një natë e veçantë për 46-vjeçari, i cili po tenton ta bëjë të pamundurën sërish.

Ai kishte shkaktuar një “tërmet” në Evropë, pasi e kishte tronditur Paris Saint-Germainin, duke e siguruar kualifikimin nga faza e 1/8 të finales së  Ligës së Kampionëve me një penallti në minutat e fundit të ndeshjes, me dhjetë lojtarë të lënduar. “Asgjë nuk është e pamundur”, tha Solskjaer vazhdimisht para fitores së famshme në Paris. Përderisa sigurimi i një rezultati të tillë në Barcelonës është më i pamundur, norvegjezi ka diçka të veçantë. Vetëm pyetini tifozët e Bayernit. Barcelona do të duhet ta llogarisë këtë gjë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat