Neziri: Çdo gabim i portierit e fut komplet ekipin në presion 

Futboll

Neziri: Çdo gabim i portierit e fut komplet ekipin në presion 

Nga: Kemajl Goca Më: 16 prill 2019 Në ora: 18:23
Neziri: Çdo gabim i portierit e fut komplet ekipin në presion 

Shtatë skuadra nuk e kanë qetësinë, të cilat në një formë janë të rrezikuar të bien në zonën e barazhit apo edhe të humbin statusin e elitës së futbollit të Kosovës. Drenica renditet në vend të pestë me 38 pikë, pasojnë Trepça ’89 35, Gjilani 35, Ballkani 32, Flamurtari 32, Ferizaj 28 dhe Liria me 24 pikë, skuadra që i presin me ankth gjashtë javë e fundit, sepse çdo gabim mund të jetë edhe i papërmirësueshëm për ta!

Flamurtari i Prishtinës është në pozitën e nëntë me 32 pikë, por shpresojnë se me kalimin e javëve do të ngritën edhe më lartë në plasman, në fakt edhe të shmangen nga skuadrat e rrezikuara përkatësisht zona e barazhit. Flamur Neziri, prej portierëve më të mirë në futbollin tonë, beson e shpreson se me ‘flamurtarët’ do të arrijnë objektivat, që të jenë në mesin e tabelës së klasifikimit.

Flamurtari është i motivuar me fitoren me rezultat 1:0 kundër Lirisë nga Prizreni dhe tani me një optimizëm e presin sfidën e radhës në udhëtim ndaj Ferizajt.     
“Bota sot”: Flamurtari synon që të ikë nga zona e barazhit, si e sheh pozitën e tashme te skuadrës juaj?
Flamur Neziri:
Pozita e tashme në tabelë është pozitë momentale e cila shumë shpejt do të ndryshoj sepse Flamurtari si çdo klub e patëm një krizë te rezultateve, por tash iu kemi kthyer fitoreve dhe besoj që në fund do të jemi në 6 pozitat e para.
“Bota sot”: Sfida e radhës në Ferizaj, do të ishit të kënaqur edhe me një pikë dhe ku e sheh forcën e skuadrës tuaj?
Flamur Neziri:
Me Ferizajn do të jetë ndeshje shumë e luftuar dhe kush do të luftojë më shumë edhe do ta ketë qetësinë, do të fitoj. Nuk shoh barazim në duel me Ferizajn.
“Bota sot”: Si e sheh luftën e skuadrave për titull dhe të atyre që luftojnë për ikjen nga barazhi, cila e ka më shumë presionin?
Flamur Neziri:
Unë mendoj që ekipet për titull kanë presion me të madh se ato që luftojnë për t’i ikur barazhit, pasi që barazhi të jep edhe një ndeshje mundësi, ku ekipet për kampion nuk e kanë. Feronikeli, Prishtina, Llapi, Drita janë ekipe cilësore dhe do të varet shumë duelet me Dritën se çfarë do të bëjnë, kur e dimë që Drita luan pa presion dhe mund ta mposht cilëndo skuadër dhe të ju bëj probleme tri ekipeve që janë për titull para se të vijnë xhirot e fundit, ku gjithçka do të varet në duele direkte pastaj.
“Bota sot”: A mendoni se Flamurtari ka tejkaluar parashikimet deri me tash?
Flamur Neziri:
Në bazë të cilësisë së punës dhe kushteve që na ka ofruar kryetari Imer Ademi, të cilin e falënderoj publikisht, Flamurtari nuk ka tejkaluar parashikimet por jemi afër objektivit që e kemi dhe besoj që në fund do të ia dalim.
“Bota sot”: A janë pikë reale apo mendoni se jeni dëmtuar?
Flamur Neziri
: Përderisa i kemi këto pikë, duhet të pajtohemi. Kemi pas ndeshje këtë sezon ku na ka munguar qetësia sepse do të kishim edhe më shumë pikë. Por ky është futbolli dhe detajet vendosin ndeshjet.
“Bota sot”: Si e sheh Flamurtarin deri në fund?
Flamur Neziri:
Forcën e vërtet te Flamurtarit do te tregojmë në ndeshjet në vazhdim. Besoj se do të jemi në 6 ekipet e para në tabelë.
“Bota sot”: Sa është vështirë të jesh portier dhe a është një pjesë e përgjegjësisë pothuajse më shumë se 50 për qind?
Flamur Neziri:
Po, në këto xhirot e fundit kur presioni po rritet shumë tek lojtarët atëherë presioni te portieri është edhe më i madh. Është e vështirë shumë sepse çdo gabim i portierit e fut komplet ekipin në presion dhe në çfarëdo situate është portieri ai që e qetëson ekipin dhe u jep siguri bashkëlojtarëve. Është më shumë se 50% në ndeshje të veçanta.
“Bota sot”: Çfarë u premton tifozëve?
Flamur Neziri:
Tifozëve? I ftoj të jenë të pranishëm dhe ju premtoj fitore të radhës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat