Ballack: Me këtë trajner, Bayern Munich do të rikthehej në majë!

Futboll

Ballack: Me këtë trajner, Bayern Munich do të rikthehej në majë!

Më: 17 prill 2019 Në ora: 11:47
Michael Ballack

Jose Mourinho do të kishte ndikim të madh pozitiv te Bayern Munich. Kështu mendon ish-mesfushori i shquar gjerman, Michael Ballack. Trajneri portugez u largua nga stoli i Manchester United në dhjetor të vitit të kaluar dhe u zëvendësua me Ole Gunnar Solskjaer. 

Në Mynih, Niko Kovac pati një fillim të dobët si trajner i Bayern Munich, duke i lejuar terren Borussia Dortmundit në krye të klasifikimit. Megjithatë, i ka kthyer gjërat në favor të bavarezëve në kampionat, kohët e fundit. Sidoqoftë, eliminimi i hershëm nga Liga e Kampioneve nuk kapërdihet lehtë nga drejtuesit në “Allianz Arena”. 

Ballack mendon se trajneri i njohur portugez do të kishte një ndikim të jashtëzakonshëm te gjigantët gjermanë, nëse merr përsipër drejtimin e tyre. "Tani për tani, Niko Kovac është trajneri i Bayern Munich dhe kjo duhet të respektohet, - tha Ballack për “Bild”. - Ai po bën një punë të mirë. 

Sidoqoftë, nuk mund ta mohojmë se në një moment, në të ardhmen, emërimi i Mourinhos si trajner do të sillte një “magji” të caktuar në klub. Kjo gjë u pa me Pep Guardiolën, edhe pse nuk e fitoi dot Ligën e Kampionëve me Bayernin.

Guardiola prezantoi një stil të caktuar të lojës, ai është një trajner i jashtëzakonshëm. Përveç kësaj, profili ndërkombëtar i çdo klubi është shumë herë më i lartë, kur ka trajner Guardiolën, ose Mourinho. Me një trajner si Mourinho, ndoshta është më e lehtë që një klub të afrojë yjet më të mirë. 

Për momentin, Bundesliga nuk ka të njëjtën tërheqje për lojtarët e klasit botëror, si Premier League dhe La Liga. Bayerni është klub i tillë, që duhet të përbëhet nga yje botërorë. Mourinho është trajneri i denjë për bavarezët". 

Ballack, gjithashtu, zbuloi se si ai dhe portugezi kishin diskutuar shpesh për Bayernin, gjatë kohës së tyre të përbashkët te Chelsea: "Mourinho fliste mjaft mirë për Bayernin. Do të ishte gati për një eksperiencë të tillë, sepse trajnerët kryesorë të huaj kanë qenë këtu: Giovanni Trapattoni, Louis van Gaal, Pep Guardiola, Carlo Ancelotti".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat