Revolucioni i Rejës: Prurjet e reja, skarcimet dhe... shiriti i kapitenit

Futboll

Revolucioni i Rejës: Prurjet e reja, skarcimet dhe... shiriti i kapitenit

Më: 18 prill 2019 Në ora: 11:17
Edy Reja

"Bac, u kry dhe një punë!", - mendoi Armand Duka me vete pas prezantimit të Edy Rejës në krye të Shqipërisë. "Solla një trajner specialist, emër i madh, tani të mos na lodhin kokën, se s'kam ç'bëj më shumë", - vazhdoi monologun në mendjen e tij. Ditën e mërkurë, presidenti i FSHF-së i dorëzoi çelësat e ekipit Edy Rejës. Impakti i parë ishte i menjëhershëm që te prezantimi. Një zotëri fisnik, i qeshur dhe i afrueshëm me njerëzit, një "babaxhan", ndoshta njeriu i duhur për Shqipërinë, pavarësisht moshës. 

Mbaruan fotot, batutat dhe tashmë është momenti që 73-vjeçari të përveshë mëngët. Reja pritet të ndryshojë shumëçka në ekipin tonë, që nga grupi e deri te skemat e lojës. Ai u tregua i qartë kur tha se duhet të shihte nga afër karakteristikat e lojtarëve. 

Grupi i lojtarëve  - Reja është një trajner që i beson shumë elementit të ri. Ai e ka bërë diçka të tillë dhe te Lazio e Napoli. Trajneri zbuloi një prapaskenë, duke treguar se ishte ai që afroi Strakoshën në ekip lacial duke i dhënë miratimin. Me ardhjen e tij në krye të Shqipërisë me shumë mundësi do të ndryshojë dhe roza e ekipit. Ermir Lenjani është një nga futbollistët më në formë të Shqipërisë dhe me shumë mundësi do të rikthehet pas tensioneve me Panuccin. 

Një emër tjetër që mund të marrë ftesë është Kastriot Dermaku. Reja e njeh mirë futbollin italian e sigurisht që e ka ndjekur Dermakun. Qendërmbrojtësi me shumë mundësi do të ketë vëmendjen e Rejës. Ka shpresë dhe për Kamer Qakën e Poli Lasit në Rumani. 24-vjeçari i ka të gjitha mundësitë për të qenë kontigjent i Shqipërisë, pasi inatet me Panuccin nuk varin më ftesat. 

Emanuele Ndoj është një tjetër futbollist që mund të jetë pjesë e rëndësishme e projektit të Rejës. Po bën mirë në Seria B dhe kërkohet dhe nga klubet e e Seria A. Lojtar në ngjitje. 

Sulmi mbetet një pikë delikate, shumë emra pak cilësi. Sadiku, Cikalleshi, Balaj janë senatorët, ndërsa Reja mund të ketë në vëmendje dhe Gurin, Manaj apo dhe Vrionin. Afrimi i elementëve të rinj mund të sjellë largimin e disa senatorëve. Rrezikon seriozisht Mërgim Mavraj. 32-vjeçari nuk ka gjetur stabilitet në dy vitet e fundit, pa harruar faktin që është dëmtuar. Reja pritet të udhëtojë drejt Gjermanisë të flasë direkt me kapitenin. 

Andi Lila mund të jetë emri tjetër që nuk merr më ftesë. 33-vjeçari ka dhënë gjithçka dhe jep gjithmonë 120% për Shqipërinë, por gjithçka është me cikël. Mbrojtësi është dëmtuar dhe kjo mund të ndihmojë Rejan të "lajë duart". Migjen Basha mund të rrezikojë për shkak të moshës së tij. Mesfushori është padyshim një ndër lojtarët më me cilësi të kombëtares tonë. Në këmbët e tij ka shumë futboll, por rinovimi i brezave mund ta nxjerrë jashtëloje. "Ne jemi plakur, të ndihmojmë të rinjtë. Nëse kanë nevojë për mua jam gjithmonë gati për Shqipërinë", - pa bujë, pa polemika, pozitiv në kulm, Basha është "profesor".  

Dilema - Ka një dilemë të madhe në lidhje me Rejën. Trajneri italian ka kontratë deri në nëntorin e 2019 në këtë moment ngrihen shumë pikëpyetje. Reja nuk ka kohë për eksperiemente, ose të nisë një plan afatgjatë, pa harrur dhe pamundësitë fizike. Në kushte të tilla ai kërkon t'i marrë më të mirën këtij grupi dhe aq! Ndoshta pa parë shumë rrotull vetes për lojtarë. Kjo mund të jetë e rrezikshme për ne që duhet të mendojmë dhe për një të nesërme.  

Kapiteni - Një tjetër çështje që duhet zgjidhur nga Edy Reja është kapiteni. Christian Panucci na zbuloi që lojtari me më shumë ndeshje kthehej në kapiten. E pazakontë. Me afrimin e italianit mund të kemi një kapiten të ri, jo nga numri i ndeshjeve, por nga personaliteti dhe përkrahja e grupit. Në periudhën e Panuccit pamë që shiriti kaloi nga krahu i Berishës, Hykës, Mavrajt apo dhe Hysajt. Me Rejën me shumë mundësi do të kemi një kapiten stabël.  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat