Ancelotti “blindon” yllin e vet: Më i miri në botë, vlen 150 milionë euro, por nuk e shesim!

Futboll

Ancelotti “blindon” yllin e vet: Më i miri në botë, vlen 150 milionë euro, por nuk e shesim!

Më: 18 prill 2019 Në ora: 11:19
Carlo Ancelotti

Në prag të ndeshjes së kthimit të Ligës së Europës, Napoli-Arsenal, Carlo Ancelotti ka dhënë një intervistë për “Tuttosport”, ku është ndalur në të gjitha çështjet. Përfshirë edhe merkaton. Referuar kësaj të fundit, trajneri i njohur italian këmbëngul se Kalidou Koulibaly është i pashitshëm, sepse e konsideron yllin e skuadrës që drejton: 

"Qendërmbrojtësi më i mirë në botë? Po, e them me plot gojën këtë. Natyrisht, ai ka më shumë hapësira për përmirësim, vlen 150 milionë euro dhe nuk është i transferueshëm. Kontrata e Koulibaly do të përfundojë në vitin 2023. Nga vitin 2021 futet në fuqi klauzola prej 150 milionë euro. Napoli nuk ka nevojë ta shesë, edhe presidenti mendon kështu”. 

Trajneri i Napolit nënvizon se vendi i dytë në Serie A, -17 pikë nga Juventusi, nuk duhet të shihet në mënyrë negative: "Jam i kënaqur, vendi i dytë nuk është një mallkim për ne, por meritë e Juventusit, që vazhdon me një ritëm të jashtëzakonshëm. Duke u kthyer në Itali, pas nëntë vitesh, nuk mund të bëja një zgjedhje më të mirë sesa Napoli. Kur një trajner i ri arrin në një skuadër, shumë gjëra ndryshojnë, por ka nevojë për kohë. Për të thyer dominimin e Juventusit kemi nevojë për një përpjekje kolektive. Edhe rivalët e tjerë duhet të forcohen, për t'u bërë më konkurrues".

Ancelotti pastaj flet për shpërthimin e Moise Kean, sulmues tek i cili Italia dëshiron të bazohet në të ardhmen: "Kush më ka befasuar mes Kean, Zaniolo, Barella dhe Meret? Më shumë Kean. Fillimi i këtij viti prej tij ishte i mahnitshëm. Shoh kujdes të madh në menaxhimin e tij, brenda dhe jashtë fushe. Stërvitja me një fenomen të kalibrit të Cristiano Ronaldos, që do të luajë deri në 40 vjeç, do t’i bëjë shumë mirë. Ai ka një fizik të admirueshëm, inteligjencë, forcë dhe vendosmëri për t’u përmirësuar çdo ditë".

Në fund, trajneri kthehet në rastet e racizmit në stadiumet italiane, kundër të cilave është rreshtuar gjithmonë në vijën e parë:  "Kam mbetur pa fjalë përpara shfaqjeve të tilla, të papranueshme e të patolerueshme, si koret raciste kundër Koulibaly, Kean dhe Matuidi. Nuk është e mundur ta përfytyrosh futbollin në këtë mënyrë. Ky nuk është futbolli që duam"!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat