Europa League: Napoli synon të bëjë mrekulli kundër Arsenalit

Futboll

Europa League: Napoli synon të bëjë mrekulli kundër Arsenalit

Më: 18 prill 2019 Në ora: 13:17
Foto ilustrim

Europa League-s luan aktin e fundit të fazës çerekfinale dhe, siç dihet, pas ndeshjeve të para shumë pranë kualifikimit janë Chelsea, Arsenali, Valencia dhe Benfica.

Dy skuadrat e fundit nga ky kuartet, pra Valencia dhe Benfica, zbarkuan në fazën me eliminim të drejtpërdrejtë direkt nga faza e grupeve në Champions League, bashkë me ekipin e Napolit, sidoqoftë klubi nga Campania ka misionin më të vështirë, duke patur parasysh që “të kaltrit” në Emirates javën e kaluar pësuan dy gola, pa shënuar dot asnjë.

Napoli – Arsenal është edhe dueli që spikat, për më tepër klubi italian e ka fituar Kupën UEFA me Diego Armando Maradonën tri dekada më parë, ndërsa “Topçinjtë”, nën drejtimin e francezit Arsene Wenger, 19 vjet prej këtej, u thyen me 11-metërsha në finalen e Copenhagen-it nga Galatasaray i famshëm, i drejtuar nga trajneri i mirënjohur Fatih Terim.

Në kryeqytetin britanik Carlo Ancelotti e humbi qartësisht duelin ndërmjet dy trajnerëve, pasi kolegu i tij Unai Emery e orientoi formacionin londinez për të luajtur lart, duke ushtruar në këtë mënyrë presing në gjysmëfushën kundërshtare, lëvizje që rezultoi goxha efikase, pasi Arsenali vulosi fatin e takimit që në 25′ e para, me një gol të Aaron Ramsey-t dhe një autogol të qendërmbrojtësit senegalez, Koulibaly.

Napoli e ka pothuajse të garantuar vendin e dytë në Serinë A, ndërsa Arsenali, në krahun tjetër, duhet të luftojë me të gjitha forcat në të dy frontet, për të siguruar pjesëmarrjen në Champions sezonin e ardhshëm, pasi në Premiership gjithçka është e hapur dhe rivaliteti me skuadrat e tjera, Tottenham Hotspur, Chelsea dhe Manchester United, vazhdon të jetë tepër i ashpër. Pra është e kuptueshme që vendasit do të bëjnë çmos për të përmbysur shifrat dhe për hir të së vërtetës “të kaltrit” i kanë të gjitha mundësitë për të besuar, sepse në fazën e grupeve, në “San Paolo” ekipi i Ançelottit çmontoi Liverpoolin, ekip që për momentin kryeson kampionatin anglez, pavarësisht se goli i fitores u shënua vetëm në çastet e fundit të sfidës.

Gjithsesi, Napoli nuk ka kujtime të mira nga përballjet me Arsenalin, sepse pesë sezone më herët, po në “San Paolo” “të kaltrit”, nën drejtimin e trajnerit spanjoll Rafa Benitez mundën “Topçinjtë” me rezultatin 2-0, por u eliminuan që në fazën e grupeve, ndonëse e mbyllën aventurën e tyre me plot 12 pikë, praktikisht në të njëjtën kuotë me Dortmundin dhe Arsenalin që ishin edhe dy skuadrat që vijuan për më tej.

Interes ngjall gjithashtu edhe dueli tjetër Eintracht – Benfica. Në Lisbonë “shqiponjat” përfituan nga epërsia numerike si dhe loja e shkëlqyer e 19-vjeçarit Joao Felix, për të fituar takimin me rezultatin 4-2. Klubi gjerman ka fituar Kupën UEFA në 1980 e largët, ndërsa ekipi luzitan numëron plot tre finale të humbura, dy prej të cilave pikërisht në Europa League, në vitet 2013 e 2014. Ndeshja do të zhvillohet në Frankfurt dhe Eintrachti deri tani konsiderohej si një ndër ekipet më të forta të këtij aktiviteti, megjithatë dy humbjet radhazi tashmë kanë vënë në dyshim gjithë ecurinë e sezonit, e befas klubi i drejtuar nga Adi Hutter po rrezikon edhe zonën Champions në Bundesligë, ndërkaq, në anën tjetër, skuadra portugeze, nën drejtimin e trajnerit të ri Bruno Lage, po fluturon lart dhe aktualisht “shqiponjat” kryesojnë kampionatin portugez, falë përballjeve direkte në sfidat me “dragonjtë” e Portos.

Pavarësisht epërsisë së dy golave si dhe ekseperiencës së jashtëzakonshme të miqve, vendasit kanë në gjirin e tyre dyshen më të mirë të këtij kompeticioni, Jovic – Haller, që krenohet me 13 gola të shënuar. Golashënuesi më i mirë i këtij edicioni, për hir të së vërtetës, është një tjetër francez, Olivier Giroud, me 9 gola, dhe 32-vjeçari nga Savoja ka një rast të shkëlqyer për të shënuar të tjerë, duke marrë në konsideratë faktin që përballë tyre në Stamford Bridge do të jetë një skuadër si Sllavia e Pragës, që në Republikën Çeke u mund 1-0 falë një goli të Marko Alonsos.

Blutë që e kanë fituar këtë kompeticion në vitin 2013 konsiderohen favoritë për të fituar trofeun e sivjetshëm, për më tepër ekipi i Sarrit në Premiership është në pozitë tepër të vështirë, kështuqë suksesi në Europa League mund të shpëtojë edhe gjithë sezonin e skuadrës londineze.

Të njëjtën situatë po përjeton në kampionatin spanjoll edhe Valencia, gjithsesi skuadra e Marselinjos qëndron në pozita akoma më të forta, sepse los che ndonëse me doza të mëdha fati ia dolën mbanë për të fituar javën e kaluar derbin me Villarreal-in me shifrat 3-1, rezultat që me shumë gjasa i dërgon fituesit e vitit 2004 të Kupës UEFA drejt e në fazën gjysmëfinale. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat